Lista e deputetëve të Lezhës e hartuar nga Edi Rama tashmë është bërë çorap. Një iku vetë, tjetri në burg, një kandidat tjetër prapë në burg nga lista dhe fitoi sot në KQZ Eduart Ndocaj , ose siç i thonë mediat "kaubojsi i Lezhës". KQZ-ja e mori vendimin sot, që të dërgojë në Kuvend emrin e tij për ta miratuar si deputeti i ardhshëm pas largimit të Arben Ndokës. Tani ai është deputet dhe pret vetëm betimin. Ai ka një firmë ndertimi jashtë vendit. Ka mbaruar për gjeometër, thonë mediat online.

Ndërkaq, stafi i Ndocajt dhe miqtë e tij, kanë bërë gati një ceremoni për ta pritur atë në Rinas, pas kthimit nga jashtë vendit.

"Të mërkurën në orën 11:30 arrin Eduarti në aeroportin e Rinasit e pastaj do të shkojë të bëjë betimin si deputet i Republikës së Shqipërisë. Ne kemi menduar që lezhjanët e manatiasit të dalin e ta mikpresin djalin e tyre me flamurin kombëtar. Eduarti është deputeti i të gjithëve edhe i njerëzve të thjeshtë.

Le ta presim në mënyrë madhështore këtë djalë që pas 20 vitesh emigracion rikthehet në Shqipëri. Eduarti vazhdimisht ka menduar e ka punuar për shqiptarët e Shqipërinë. Kjo është një iniciative e marrë nga stafi i Eduartit e miqtë e ngushtë", shkruan në profilin e tij, Alban Daci.

Dhe kanë organizuar pritje me flamuj e makina në Rinas.Lezha tashmë do përfaqësohet nga Eduart Ndocaj.

Si është përfaqësuar ndër shekuj Lezha ?

Eshtë një prej qyteteve që i ka dhënë kulturës e historisë kombëtare në mënyrë të veçantë. Eshte historikisht e njohur 2 marsi 1444, kur në qytetin e Lezhës, që ishte në zotërimin e Venedikut, u organizua Kuvendi i Princërve Shqiptare nën drejtimin e Gjergj Kastriot Skenderbeut. Aty morën pjesë princërit shqiptarë, deri atëkohë të përçarë, si Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Pal Dukagjini, Teodor Korona , Muzaka, Lek Zaharia, Lek Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, Stefan Cenojeviçi etj. Ky kuvend u bë në Katedrelan e Shën Nikollës dhe jo rastësisht në Lezhë. Kuvendi krijoi "Lidhjen Shqiptare" me Skenderbeun, si kryetar të saj.

Kuvendi i Lezhës është nga ngjarjet më të mëdha unifikuese të kombit shqiptar në histori. Po në Lezhë është mbledhur në janar të vitit 1703, në fshatin Merqi, ai që njihet si Kuvendi i Arbënit, i njohur ndryshe edhe si Koncili i Arbnit. Ky Kuvend u bë me nismën e Papës me origjinë shqiptare, Klementi i XI. Kuvendi i Arbnit mori vendime të rëndësishme, jo vetem të karakterit organizativ fetar, por edhe politik dhe atdhetar. Ky Kuvend është më i rëndësishmi, pas Kuvendit të mbajtur po në Lezhë nga Skenderbeu me 2 mars 1444. Po nga Lezha është Frang Bardhi (1606-1643) , bile nga Kallmeti, Ipeshkëv i Sapës (Zadrimës). Ai është autor i më të parit Fjalor Latinisht-Shqip (Romë,1635) me rreth 5 mijë fjalë dhe i Apologjisë për Skënderbeun (Venecia, 1936), shkruar në latinisht. Përsëri nga Lezha është edhe Pjetër Zarishi (1806-1866) prift nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar për teologji. Ai është ndër poetët nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare, së bashku me franceskanin Leonardo De Martino (1830-1923). Me leksikologji u muar edhe Nikollë Gazulli (1894-1946), lindur në Dajç të Zadrimës në Lezhë, ku mori edhe mësimet e para prej Ndre Mjedës, ndërsa studimet e larta teologjike i kreu në Austri.

Nga Lezha, i lindur në Fishtë dhe nxënës i kolegjit të Troshanit (të dy fshatra zadrimorë, në rrethinat e Lezhës), është i madhi poeti Gjergj Fishta (1871-1940). Ndërsa më vonë në ditët tona Ndoc Gjetja, një penë magjepsëse e poezisë, nga Lezha shkoi në Tiranë e bëri epokën e tij letrare.