Mund të konsiderohet edhe çështje fati por njeriu i momentit në shtëpinë e Juventusit pa dyshim është Moise Kean. Është vetëm 19 vjeç dhe, gradualisht, po tregon një potencial të jashtëzakonshëm. Shënoi në ndeshjen debutuese me fanellën e Kombëtares së Italisë, gjithashtu edhe me bardhezinjtë.


Ndoshta është herët, por me atë që po tregon Kean meriton fanellën e titullarit.  Allegri kërkon që të mbajë me këmbë në tokë sulmuesin, por numrat flasin në favor të tij. Tre gola në Serinë A, i fundit ndaj Empolit, dhe për të gjetur rrugën e rrjetës i mjaftuan vetëm 2 minuta e 30 sekonda.


Fakti që Juventusi kryeson kampionatin me një distancë prej 18 pikësh nga Napoli i vendit të dytë e favorizon lojtarin, pasi minutat në dispozicion pritet të jenë të shumta për të, edhe pse titullarë fiks, duket pak e vështirë. Kean deri tani nuk ka patur asgjë kundër vendimeve të Allegrit, duke i mirëpritur ato dhe duke i cilësuar si të duhurat.


Asnjë kërkesë nga ana e sulmuesit dhe sigurisht që drejtuesit e Zonjës së Vjetër do ta mendojnë seriozisht për tu mbështetur tek Kean në të ardhmen. I fortë fizikisht, teknik por edhe i përgjegjshëm. Elementët bazë për tu shndërruar në një lojtarë kyç për ekipin. Sa i përket rinovimit të kontratës, situata duket e favorshme, madje firma është thjesht çështje formale.