Klubi dëshiron të mbajë mbrojtësin, por si zëvendësues


De BiaziRiaftësimi nga dëmtimi që e la jashtë fushës së lojës për shtatë muaj nuk ka qenë fundi i mundimeve për Mërgim Mavrajn, i cili rrezikon seriozisht të humbasë një rol prej protagonisti në Euro 2016. Mbrojtësi ishte një titullar i padiskutueshëm në radhët e kuqezinjve para dëmtimit, por koha e gjatë jashtë fushave, si dhe statusi i zëvendësuesit që ka tashmë te klubi i Këlnit, mund të bëjë që ai të përfundojë në stol gjatë Euro 2016. Duke dashur ta përjetojë atë aventurë historike të kuqezinjve si protagonist, Mavraj ka kërkuar huazimin në janar, kërkesë që i është refuzuar nga klubi, i cili ka vendosur ta mbajë në stolin e rezervave në vazhdimin e sezonit.


Mbrojtësi 29-vjeçar iu bashkua Këlnit në fillimin e sezonit 2014-2015, me dëshirën për të qenë protagonist te kjo skuadër, duke arritur të dhuronte disa paraqitje të mira sa herë që iu dha mundësia të luante në Bundesligë. Por dëmtimi i pësuar në fund të sezonit të kaluar penalizoi ndjeshëm shanset e tij për të fituar vendin e titullarit te Këlni në fillim të këtij edicioni. Pas shtatë muajsh riaftësim nga dëmtimi në gju, lojtari është kthyer të luajë, si fillim me ekipin U-21 të Këlnit, ndërsa në janar do të jetë rregullisht pjesë e ekipit të parë. Por Mavraj është i ndërgjegjshëm se hapësirat për të në pjesën e dytë të sezonit do të jenë minimale. Për këtë arsye, gjatë ditëve të fundit mes klubit dhe menaxherit të Mavrajt, ish-futbollistit gjerman Tomas Shtrunz, ka pasur diskutime për një huazim të mundshëm. E përditshmja “Bild” ka zbuluar se Shtrunz i ka kërkuar drejtorit sportiv Jorg Shmadtke, që t’i tregojë se cilin rol do të ketë futbollisti shqiptar në ekip dhe kur ka mësuar se për të planifikohet një vend në pankinë, ka sugjeruar huazimin në janar. Por përgjigjja e drejtuesit të klubit ka qenë negative, qëndrim i konfirmuar më pas edhe për tabloidin gjerman.


“Unë mund t’i kuptoj gjërat nga perspektiva e Mavrajt kur dalin në skenë ide të tilla. Por në axhendën tonë nuk ekziston mundësia e një huazimi. Ne kemi nevojë për Mërgimin dhe ai duhet të vazhdojë të punojë për t’u kthyer në formën maksimale, që të jetë në gjendje sa më të mirë, në mënyrë që të shfrytëzojë shanset që i jepen”, deklaroi Shmadtke. Sipas tij, mbrojtësi nuk rrezikon aspak grumbullimin me përfaqësuesen për Europianin, për sa kohë që është fizikisht mirë, pasi është i sigurt se De Biazi do ta përfshijë mes 23 emrave të listës përfundimtare. “Për të ekziston një opinion shumë i mirë në Shqipëri. Unë nuk mendoj se pjesëmarrja e tij në Europian varet vetëm nga fakti nëse luan këtu apo jo”, ishin fjalët e drejtuesit të Këlnit.


Vetë futbollisti shqiptar, pas këtij refuzimi, ka premtuar se do të bëjë maksimumin për të vënë në vështirësi stafin teknik të skuadrës, duke shpresuar që ta detyrojë të krijojë sa më shumë hapësira për të. “Europiani do të jetë në verë. Por duke qenë një profesionist, unë do të bëj maksimumin dhe nëse është e mundur, të luaj në çdo ndeshje në kampionat”, deklaroi Mavraj.


Mbrojtësi është një prej futbollistëve të preferuar të trajnerit De Biazi, duke qenë një nga emrat mbi të cilin ai bazoi projektin e tij kur mori drejtimin e kuqezinjve. Mavraj ka luajtur 23 ndeshje me kombëtaren (22 si titullar), duke shënuar 2 gola. Lorik Cana ka shprehur hapur dëshirën që t’i kalonte në të ardhmen shiritin e kapitenit të përfaqësueses kolegut të tij në prapavijë.


Ky shkrim Këln refuzon huazimin, Mavraj rrezikon Europianin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.