Një tjetër kënd lojërash i shtohet Tiranës. Bashkia ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë në "Komunën e Parisit", i cili do të shërbejë edhe si një shesh pushimi për të moshuarit dhe banorët e zonës.

veliaj

Në fjalën e tij gjatë nisjes së punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është në vazhdim të projektit për 12 këndet e reja në kryeqytet.

Ai theksoi se përveç rikonstruksionit të çerdheve dhe kopshteve është detyrim për bashkinë që, në njësinë më të madhe administrative të Tiranës, të ndërtojë edhe një shesh të tillë që do të shërbejë në rradhë të parë për fëmijët.

veliaj4

"Komuna e Parisit, njësia 5, është ndoshta qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, pas Tiranës për nga popullsia. Ndaj nuk mjafton që kemi investuar kaq shumë në kopshte dhe çerdhe, por duhet që edhe hapësirat rekreative të jenë në të njëjtin nivel. Edhe në këtë rrugë kryesore do të fillojmë me këtë kënd lodrash, i cili do të jetë i gatshëm pas 6 ose 8 javësh", u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se këndi që do të ndërtohet, përveçse do të jetë një hapësirë për fëmijët, është parashikuar që nëpërmjet teknologjisë të shndërrohet edhe në një hapësirë për të rinjtë.

veliaj3

"Pas 1 viti punë ditore, kemi dhënë një mesazh: "Më mirë punojmë për gjeneratën tjetër, se sa për zgjedhjet e ardhshme; llogaritë afat-gjatë na japin një qytet më të qëndrueshëm, se sa ato llogaritë e vogla të politikës, që sot janë, nesër nuk janë, dhe nuk na krijojnë qytetin që kemi ëndërruar", shtoi kryetari bashkisë.

Veliaj theksoi se ky investim është një tjetër dëshmi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që pavarësisht sulmeve politike, të vijojë të punojë për qytetarët e saj.

veliaj2

"Tirana që kemi trashëguar ka qenë në gjendje të amortizuar, por kemi kuptuar dy gjëra: O bën llafe, fjalë, sherre, shamata, ose bën punë, punë, punë! Besoj që, për fëmijët në njësinë 5, sot që po kemi mbaruar të gjitha kopshtet, çerdhet dhe këndin e dytë të lodrave, i kemi treguar Tiranës që vetëm me punë mund të ecim përpara. Me llogje dhe intriga qyteti humbet shumë kohë; kurse me punë, siç është kjo e sotmja, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona, të paktën për fëmijët", theksoi Veliaj.

veliaj1

Ai ka falenderuar edhe donatorët që edhe në këtë rast mbështetën projektin e Bashkisë, duke vlerësuar se kontributi i tyre është shumë i nevojshëm për ta bërë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm, së pari, për më të vegjlit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi edhe mirëkuptimin e banorëve dhe bizneseve përreth që ta ruajnë investimin, pasi përveçse u shërben fëmijëve të lagjes së tyre, shërben edhe për të rritur vlerën e pronës.

"Dua të falenderoj të gjithë banorët për bashkëpunimin, t'ju kërkoj lokaleve që janë këtu pranë që, teksa bashkia jep këtë investim, bashkë me donatorët, ata kanë detyrë ta mirëmbajnë, të kujdesen, duke qenë se të parët që u rritet vlera janë bizneset e tyre dhe sigurisht, edhe apartamentet ngjitur, sepse e kanë shtëpinë pranë një parku", u shpreh Veliaj.

Sipërfaqja totale e sheshit ku do të zbatohet projekti është rreth 800 m2, ku gjysma e sipërfaqes është e gjelbëruar dhe gjysma tjetër është dedikuar për krijimin e këndit të lojërave dhe pjesëve për kalim.

Ai do të ketë zona Wi-Fi dhe stola për të moshuarit. Pas tre këndeve të inauguruara, këndi i nisur sot në Komunën e Parisit është këndi i shtatë i filluar nga bashkia, duke garantuar të njëjtën cilësi dhe standard.

Shpejt vijojnë punimet në dy kënde të tjera në Kombinat dhe te Oxhaku, ndërsa brenda vitit Bashkia e Tiranës do të synojë të përfundojë 12 sheshe sportive dhe kënde lojërash për fëmijë.