Në intervistat me një historian të Shtëpisë së Bardhë, ajo theksonte mes të tjerash se lideri i lëvizjes për të drejtat civile, Martin Luter King, “është një burrë i tmerrshëm”.

Zhaklin Kenedi e cila ndërroi jetë në vitin 1994, tregonte se si Xhon Kenedi fliste keq për zv/Presidentin Lindon Xhonson dhe me disa liderë të tjerë botërorë, mes të cilëve edhe për De Golin të cilin e quante “egomaniak”.

Ajo rikujton gjithashtu se si bashkëshorti i saj, Xhon Kenedi tallej me kërcënimet për vrasje.

Zhaklin Kenedi i hapi zemrën Arthur Schlesingerit, në intervistën e kryer në shtëpinë e saj në Uashington, katër muaj pas vrasjes së ish-Presidentit në Dallas (Teksas).

Ajo ra dakord të intervistohej me kusht që intervista të mos publikohej deri pas vdekjes së saj. Tetë orët e regjistruara janë subjekt edhe i librit, “Zhakline Kenedi: Bisedat historike mbi jetën me Xhon Kenedin"- të publikuar të mërkurën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zonja Kendei rikujton fjalët e bashkëshortit të saj për zv/Presidentin, të cilin e kishte bërë numrin dy të shtetit vetëm sepse ishte jugor dhe kishte nevojë për balancë.

Sipas saj, Xhon Kenedi i kishte thënë: “O Zot, mund ta imagjinosh se ç’mund t’i ndodhte vendit nëse Lindoni do të ishte President?”.

Ish-zonja e parë amerikane kritikonte ashpër edhe Martin Luter King-un, duke rikujtuar se sipas tregimeve të kunatit (Rober Kenedi) lideri i lëvizjeve për të drejtat civile ishte bërë xurxull në funeralin e Xhon Kenedit.

Zhaklin Kenedi rikujton në intervistë se si bashkëshorti i saj ironizonte me vrasjen e tij të mundshme pasi kishte diskutuar me historianin David Donald për trashëgiminë e Abraham Linkolnit.

Xhon Kenedi e kishte pyetur akademikun se a do të ishte vlerësuar si një President kaq i madh Abraham Linkoln edhe nëse nuk do të ishte vrarë?

Historiani i ishte përgjigjur se diçka e tillë mund të mos kishte ndodhur pasi reputacioni i Linkolnit do të kishte rënë gjatë përballjes me problemet e rindërtimit të vendit pas luftës civile.

Ish-zonja e parë amerikane tha: “Më pas më kujtohet Xhoni duke thënë  pas krizës kubane të raketave, kur gjithçka përfundoi në mënyrë fantastike: ‘Epo, nëse ndokush do të më qëllojë ndonjëherë, kjo do të ishte dita do të duhej ta bënte’”.

/Start/Fatjon Prroni/



                                                                                             2011-09-14 19:23