24/01/2005  Refleksione





Shija e hidhur e shantazhit





Nga Gani Mehmetaj


Prishtinë





Urithët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kuadër i Edi Shukriut, dhe klanet tregtare-muzikore janë mësuar me monopole jo vetëm në segmentin e muzikës e të spektaklit, por edhe në të gjitha manifestimet, ku ata i kanë futur hundët. Natyrisht pjesa më e madhe e këtyre urithëve, të cilët kanë ardhur aty që në kohën e themelimit të ish-Departamentit të Kulturës ose më vonë, nuk janë pranuar aty pse marrin vesh nga kultura, as pse kanë emër të kumbueshëm publik, përkundrazi, në profesionet që i kanë ushtruar nuk janë dalluar për asgjë dhe nuk kanë arritur të krijojnë emër, por pse zonjës gri iu deshën për manipulime e klanizime. Ata ishin të dëgjueshëm dhe të mahallës së saj klanore, prandaj edhe morën poste të pamerituara dhe u shtrinë si kanceri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kryesisht e kanë pranuar njëri-tjetrin duke krijuar klane nëpunësish, që e diktojnë jetën kulturore, sepse manipulojnë me paratë e ministrisë dhe e kanë në dorë vendimmarrjen. Ata janë bosët që i japin paratë e taksapaguesve, kështu që është vështirë të mendohet realizimi i ndonjë projekti, ku ata nuk do ta kenë fjalën kryesore dhe ku nuk do të inkuadrojnë farefisin dhe pjesëtarët e klaneve.


Ky është fenomen i ditur, i cili zor se mund të ndryshohet, ndërsa kultura jonë e ka vështirë të çmonopolizohet. Në një mënyrë apo tjetër ata janë duke e dhunuar kulturën, sepse janë nëpunës që i janë shpifur kulturës, të cilën nuk e njohin as nuk e duan, janë të zhveshur nga shija për artin dhe nuk dinë ta menaxhojnë atë. Por, dijnë të depërtojnë nën lëkurën e zyrtarëve të lartë dhe çuditërisht edhe t’i bindin se akëcili manifestim është i domosdoshëm. Madje, janë mësuar që fjala e tyre të përfillet edhe në qarqet më të larta.


Përpjekjen për çmonopolizim të kulturës e përjetoi në kurriz edhe ministria Haraqia. Me vendimin e tij, (që nuk e konsultoi këtë lukuni nëpunësish) për të sponsorizuar spektaklin “Kënga magjike”, e çrregulloi këtë klan të një mehalle provinciale, por edhe klanet muzikore, sepse nuk mundën ta konceptojnë vendimin e ministrit pa konsultimin me ta. Për hakmarrje, sepse u financua spektakli, të cilën e organizuan njerëzit që nuk i takonin torishtës së tyre, filluan të shpifin nëpër kuluare të ministrisë kundër dy artistëve: Ardit Gjebresë e Vera Grabockës, për kinse prejardhjen e tyre të dyshimtë gjenetike. Kur kjo nuk u piu ujë, sepse njerëzit janë ngopur me patriotizëm të rremë, atëherë filluan të thirrën në patriotizmin lokal: pse të shkojnë paratë në Tiranë e të mos mbetën në Prishtinë. As kjo duket se nuk i cyti njerëzit që ta bojkotojnë këtë spektakël, përkundrazi, interesimi për te vetëm sa u shtua.


Megjithatë reagimet e ashpra të një kaste muzikore-klanore, festivali u mbajt. Madje, ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore, spektakël i jashtëzakonshëm, i punuar me profesionalizëm kulminantë dhe i konceptuar në nivelin që mund të mburrëm se i takojë këtij kombi. Mbase autori i këtij shkrimi nuk do ta përmendte fare këtë manifestim kulturorë, në rubrikën politike, sikur të mos bëhej një fushatë e egër mediale kundër “Këngës magjike” dhe kundër sponsorëve e autorëve. Një bojkot i përgjithshëm i gazetave e televizioneve, derisa salla e sporteve “1 tetori”, në Prishtinë ishte plotë. Sikur nuk mjaftoi fushata mediale, mbrëmjen e fundit u lajmërua me telefonatë anonime për bombë të kurdisur, duke pretenduar kështu të ndërpritet finalja e “Këngës magjike”. Spektakli u mbajt, këngët u kënduan, Gjebrea ishte i mrekullueshëm dhe i pazëvendësueshëm në rolin që e pati. Regjisorja Grabocka profesionalisht në llojin e spektaklit po ashtu është vështirë të arrihet. Por në fund mbeti shija e hidhur e shantazhit mafioz me telefonatën anonime dhe me përpjekjen që të ekskomunikohet apo të bojkotohet dikush që nuk është i torishtës së tyre. Lokalpatriotizmi në këtë rast ishte përpjekje për të monopolizuar spektaklin dhe që të pëfitojnë “patriotët” tanë të muzikës dhe buqkurushëve që ata i quajnë spektakle. Të tillët kur u hyjnë në xhep, nuk ngurrojnë të thirrën në frymën e bashkimit kombëtar, ndërsa kur kjo nuk u konvenon atëherë çirren për mbrojtjen e Kosovës nga “të jashtmit”. Pse ata nuk dinë të bëjnë gjëra të këtilla, këtë as nuk e thonë as nuk e pranojnë. Por ky është një fakt i ditur dhe i përsëritur.