Është mbyllur pranimi i këngëve pjesëmarrëse për festivalin “Kënga Magjike 2011”. Pesë, gjashtë dhe shtatë shtatori ishin datat e fundit kur këngëtarët mund t’i dërgonin këngët e tyre konkurruese për edicionin e 13-të të festivalit. “Kënga Magjike” është një ndër evenimentet më të rëndësishme në industrinë muzikore shqiptare. Ky festival u krijua për herë të parë në vitin 1999, nga kantautori i mirënjohur shqiptar Ardit Gjebrea. Edhe pse ende nuk është mbyllur faza e parë e konkurrimit, disa emra të pjesëmarrëseve tashmë janë zbuluar. Vedat Ademi, Adelina Tahiri dhe Drenusha Latifi kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë festival për mediat shqiptare. Edicioni i kaluar, Kënga Magjike 2010, u fitua nga dueti Juliana Pasha & Luiz Ejlli, me baladën 'Sa e shite zemrën', i kompozuar nga Pirro Çako.