Flamurtari
Dhunë verbale dhe fizike ndaj lojtarëve vlonjatë, Memellit iu tregua arma

Flamurtari humbi në Laç, por fitorja e kurbinasve është zbehur nga kërcënimet, ku madje është përdorur edhe një armë zjarri, në pushimin e ndeshjes. Drejtuesit laçianë kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, duke ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj lojtarëve vlonjatë, ku “shënjestra” kryesore ishte Migen Memelli. Shkak janë bërë thirrjet e sulmuesit për të motivuar shokët e skuadrës, veprime që kanë acaruar përfaqësuesit e ekipit vendas, mes të cilëve duket se ka qenë edhe presidenti Pashk Laska, që i është drejtuar 29-vjeçarit, duke vendosur dorën tek arma. Në mungesë të kryetarit të Bashkisë, njëkohësisht edhe presidenti i klubit, Shpëtim Gjika (i cili ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye shëndetësore), rreth ngjarjes kanë reaguar drejtues të pushtetit lokal dhe lojtarët. Në një deklaratë për shtyp, drejtori i turizmit dhe sporteve në bashki, Ilir Metaj, i shoqëruar nga kapiteni i Flamurtarit, Sakaj dhe futbollistët Kuqi, Grami e Strati kanë treguar prapaskenat e asaj që ndodhi në fushën e Laçit. “Klubi Flamurtari denoncon ngjarjen e rëndë të ndodhur në dhomat e zhveshjes së skuadrës tonë në pushimin e ndeshjes. Përfaqësues të Laçit kanë hyrë aty duke ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj lojtarëve të Flamurtarit, në veçanti ndaj sulmuesit Memelli. Situata ka qenë mjaft e tensionuar gjatë gjithë 15 minutave. Në këto kushte është kontaktuar me telefon kryetari i Bashkisë së Vlorës, zoti Gjika, e pas vendimit të tij skuadra vazhdoi thjesht për formalitet pjesën e dytë të takimit. Kjo pasi nuk ishin më primare loja e bukur dhe pikët, por integriteti fizik i gjithë stafit dhe futbollistëve vlonjatë”, tha Metaj. “Na vjen keq që ngjarja e rëndë ndodhi pikërisht në Laç, pasi ata u pritën në mënyrë të shkëlqyer në fushën e Vlorës. Gjithçka është në kundërshtim të plotë me rregulloren e FSHF-së dhe vë në dyshim integritetin moral të këtij kampionati. U takon zotërinjve të federatës të jenë mburojë e rregullave të lojës, duke i bërë ato njësoj të vlefshme për të gjithë dhe duke mos vepruar si në rastin e ‘ligjit në dorë të Maliqit’. Po vlerësojmë me seriozitet hapat e mëtejshëm që do të ndjekim, por natyrisht që fjalën e fundit do ta thotë vetë kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika”.






#