Një grup gazetarësh të Elbasanit janë kërcënuar dhe kanë pasur presion psikologjik pas raportimit të lajmit për parandalimin e një vrasjeje në këtë qytet. Në një njoftim për shtyp të Unionit të Gazetarëve Elbasan, mësohet se "duke marrë shkak nga kërcënime direkte, indirekte, nga persona të identifikuar dhe të paidentifikuar, bordi i kësaj shoqate e sheh me vend të sqarojë se bëhet fjalë për ngjarjen që kishte lidhje me aktin parandalues te një vrasjeje në qendër të qytetit mesditën e së enjtes, të cilën policia e Elbasanit fatmirësisht e shmangu. Këtë ngjarje gazetarët e kanë transmetuar në të gjitha mediat vizive dhe të shkruara. Unioni i Gazetarëve u kërkon organeve të policisë, prokurorisë, gjykatës, si dhe të gjitha institucioneve vendore, që brenda kompetencave ligjore të garantojnë lirinë e shprehjes në media, si dhe paprekshmërinë fizike të gazetarëve në këtë prefekturë. I bëjmë apel qytetar opinionit publik në Elbasan, që të mbështesë gazetarët në realizimin e misionit të tyre dhe të dëshmojë solidaritet qytetar në rastet kur ata vihen përballë elementëve ekstremistë apo kërcënues".