Shkup-Ambasada amerikane në Shkup të Maqedonisë, ka marrë dje një letër kërcënuese me pluhur të bardhë. Menjëherë pas marrjes së letrës, stafi i sigurisë ka marrë masa për të parandaluar rreziqet që mund të vinin nga pluhuri në letër.



Nxënësit e një shkolle aty pranë, janë njoftuar të mos dalin nga klasat e tyre, pasi dyshohej se pluhuri i bardhë mund të ishte antraks, njoftoi e përditshmja maqedonase “Dnevnik”.

Ministria e Punëve të Brendshme ka vërtetuar se në Ambasadën Amerikane në Shkup ka arritur një letër kërcënuese, për çka më vonë është vërtetuar se nuk bëhet fjalë për kërcënim me antraks ose eksplozivë. Sigurimi i ambasadës ka reaguar dhe e ka njoftuar rastin në polici.

Letra kërcënuese dje kanë marrë edhe disa ambasada në Evropë dhe rajonit tonë.



“Analizat e bëra të përmbajtjes në letra janë negative, por ato janë dërguar në analizë të mëtutjeshme në SHBA”, njoftoi dje një përfaqësues i ambasadës në Shkup. Letrat janë dërguar në SHBA, kurse për hetimet kompetente është FBI.



Sipas Departamentit të Shtetit letra kërcënuese kanë marrë ambasadat në Berlin, Bruksel, Bukuresht, Kopenhagë, Oslo, Paris, Dublin, Luksemburg, Rigë, Romë, Talin, Zagreb, Hagë, Stokholm, Rejkavik. (INA)