Autori i Lajmit: red.
Politika shqiptare e konsideron si një provokacion kërkesën e Omonias, sipas së cilës, greqishtja duhet të jetë gjuhë e dytë zyrtare. Pas deklaratave të socialistit Marko Bello, reagon dhe nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai pohoi dje se Omonia po bie gjithmonë e më shumë në pozitat e një provincializmi, që nuk justifikon objektivat, funksionin dhe, në fund të fundit, edhe historinë që ka ajo. “Më duket si një kërkesë e bërë thjesht për provokacion, është provokacioni i radhës, një kërkesë që frymëzohet nga interesa e objektiva, të cilat më së shumti të kujtojnë skenarë të ngjashëm, që ndodhen, jo aq shumë në jug, por në veri të Shqipërisë. Pra, është vërtet për të ardhur keq, sidomos që nga momenti kur në krye të Omonias është kryebashkiaku i Himarës, kjo organizatë po artikulon kërkesën apo artikulon ide, të cilat absolutisht nuk janë në të mirë të bashkëjetesës, në të mirë të paqes sociale këtu në Shqipëri, por që jam i bindur që kjo bashkëjetesë nuk dëmtohet nga zëra të tillë, por që për më tepër kjo organizatë, me gojën e Bollanos, po merr gjithmonë e më shumë një rol për të provokuar, për të nxitur armiqësira, zjarre edhe në nivel rajonal, jo vetëm brenda Shqipërisë”, - tha ai. Po dega e LSI-së së Himarës shprehu angazhimin e saj se do të shumëfishojë reagimet dhe denoncimet e veta ndaj “abuzimeve, korrupsionit, akteve abuzive administrative të lëshuara nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano. “Ne si forcë politike denoncojmë heshtjen e krerëve të partive politike të Himarës, duke filluar nga Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Socialiste, Partia Demokracia Sociale, Partia Socialdemokrate, Partia Demokristiane, etj.”, - u tha në konferencë. LSI e Himarës tha në këtë kuadër se ajo shpreh mbështetjen e vet ndaj deputetit himariot, Nikollaq Neranxi, në angazhimin e tij për denoncimin e korrupsionit dhe abuzimit që po bëhet me tokat e himariotëve dhe bregasve në tërësi. “Ne u bëjmë thirrje drejtuesve politikë lokalë të Himarës të reagojnë duke përfaqësuar spektrin e tyre politik dhe të dalin sa më parë nga “kapja” që kryebashkiaku u ka bërë atyre dhe misionit të tyre alternativ”, - thuhet në deklaratë. Dega e LSI në Himarë bëri apel dhe ndaj “të ashtuquajturit Komision të ngritur nga i ashtuquajturi Kuvend i jashtëzakonshëm i Bregdetit, që i zhvilloi punimet në selinë e Bashkisë, të mos ushqejnë iluzione se afatin e përcaktuar për zgjidhjen e problemit të tokës, do ta kalojë me premtim të pambajtur”. Në këtë pikë kjo degë thotë se është në pritje dhe po monitoron mënyrën se si po vepron ky Komision dhe kontributin e munguar të kryebashkiakut Bollano.



Ky lajm është publikuar: 20/08/2008