Në pritje të vizitës së zyrtarit të lartë amerikan Matthew Palmer, Presidenti Ilir Meta ka gjetur kohë që ta nisë ditën me një postim në Facebook, ku lëshon një thirrje të fortë për shoqërinë dhe instancat shoqërore që të kthejnë sytë nga komuniteti rom në Shqipëri.


Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Meta thekson se arsimimi, strehimi, punësimi e përkrahja sociale mbeten ende sfida reale, që romët nuk mund ti kapërcejnë pa mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë.


Edhe këtë vit, 8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, e gjen këtë komunitet jo të mirëintegruar në shoqërinë shqiptare. Me emocion kujtoj takimin e pak javëve më parë në Korçë me disa nëna rome, të cilat më shprehën një mori problemesh, që jam i bindur se i kanë edhe shumë nga romët e Shqipërisë. Kërkesat miniminaliste dhe shqetësimet e tyre, ishin tronditëse për një shoqëri të këtij shekulli. Pa shumë premtime e nisma që mbesin në letër, mos humbet më kohë për të ndryshuar vërtet situatën e rëndë sociale dhe ekonomike të komunitetit rom, thekson ai.