12/03/2010 Hapat për shlyerjen e pagesës për pronësinë e objektet informate në proces legalizimi


Masa e rimbursimit të pagesës sipas vendndodhjes së objektit që do të legalizohet


Hapen procedurat e përdorimit të bonove të privatizimit si element pagese të objekteve informale që janë në proces legalizimi. Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë poseduesit e bonove duhet të depozitojnë pranë organeve përgjegjëse kërkesë mbi përdorimin e bonove për shlyerjen e detyrimeve të pronësisë mbi objektet informale.


Lidhur me këtë proces, burimet zyrtare të ALUIZNI-t deklarojnë se “poseduesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, për efekt të pagesës së parcelës ndërtimore me bono privatizimi, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë drejtorive rajonale duke filluar nga dita e sotme”. Vlefshmëria e kësaj kërkese do të vijojë deri në përfundim të procesit të legalizimit të këtyre objekteve.


Në përmbajtje të kërkesës, poseduesit e objekteve që janë në proces të legalizimit duhet të përcaktojnë edhe masën e pagesës që do të shlyejnë duke përdorur bonot e privatizimit. Në përcaktimin e kësaj mase duhet të respektohen edhe kriteret e vendosura për këtë kategori. Konkretisht, për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Nga ky rregull përjashtohet pjesa e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila detyrimisht shlyhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier për qëllime të tjera, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të pagesës së pronësisë me bono privatizimi. Ndërsa për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Gjithashtu është përcaktuar si kriter përjashtues mënyra e pagesës me bono privatizimi të objekteve informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në objekte me leje, për të cilat pagesa e parcelës ndërtimore do të kryhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rimbursimin në këmbim të bonove të privatizimit, subjektet që kanë kryer pagesa të mëparshme të parcelës ndërtimore duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Afati për paraqitjen e kërkesës është brenda 3 muajve, duke nisur nga data 12 mars 2010.


Objektet jashtë vijës së verdhë


Sipas ndryshimeve të bëra, është vendosur që përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit do të ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit), për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi.


Objektet brenda vijës së verdhë


Ndërsa për objektet e tjera informale që gjenden të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë), për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi.


Lehtësirat


Njëkohësisht, ligji parashikon që të zbatojë dhe një sërë lehtësirash të tjera që do të shkojnë në favor të kategorive që janë posedues të objekteve informale, por që kanë kryer pagesa të mëparshme. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve të dorëzojnë kërkesën me shkrim pranë ALUIZNI-t.