Komisioni i Ligjeve u mblodh sot për të shqyrtuar projektvendimin, i cili parashikon ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, ku në të është parashikuar edhe ndryshimi i procedurës në rastet kur konstatohet kryerja e veprave penale nga ana e ligjvënësit. Në projektvendim thuhet se nëse Prokuroria do të kërkojë heqjen e imunitetit të një deputeti, provat e hetimit duhet tua paraqesë edhe anëtarëve të Këshillit të Mandateve.  Sipas ndryshimit, kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori dhe kërkesa duhet të përmbajë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën. Deri më tani, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme.


Ky ndryshim është kritikuar ashpër nga deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.  Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, Alibeaj u shpreh se heqja e imunitetit të deputetëve është bërë nga Kushtetuta që në vitin 2012. Po thoni se doni ta miratoni vetë duke prishur traditën për konsensus. Tani u binda se nuk është lapsus, është në shkelje të rregullores. E kapët prokurorinë me Arta Markun. Arritjen e madhe të heqjes së imunitetit ju doni ta fusni sot në rregullore. Imuniteti është hequr nga Kushtetuta në vitin 2012. Ky parlament është i lidhur me krimin. Ju tregoni me këtë se deri ku ka shkuar frika juaj. Është turp i madh.- tha Alibeaj.


Ulsi Manja, kreu i këtij Komisioni iu përgjigje se ky vendim është votuar nga Konferenca e kryetarëve në nëntor të 20198. Ndërkohë, deputeti i PS-, Taulant Balla tha :-Nuk bëjmë kurrë gabimet që ka bërë PD dhe se ndryshimet nuk do të votohen pa konsensusin e PD.  Një tjetër ndryshim ka të bëjë me zhvillimin e seancës. Në nismën e depozituar në Kuvend, nenit 118, i është shtuar një pikë, e cila parashikon që Kuvendi, në seance plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura. Në rregulloren në fuqi të Kuvendit nuk parashikohet mundësia që seanca të zhvillohet më dyer të mbyllura. Krahas kësaj, parashikohet gjithashtu edhe një ndryshim tjetër, i cili vështirëson punën e organit të akuzës në rastet kur kërkon ndjekjen penale të ligjvënësve.


Në rregulloren e re të Kuvendit përcaktohet se: Shqyrtimi i çështjes në Këshillin e Rregullores, Mandatet dhe Imunitetit, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për tu informuar në kohë, për tu pyetur, për tu dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.


Gazeta Panorama raporton se në përfundim të diskutimit, Këshilli i Rregullores, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Kësisoj, Kuvendi në vetvete merr atributet e një Gjykate, ku vendimin për dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë të një deputeti duhet ta vendosë organi ligjvënës dhe jo Gjyqësori.