Puna e Komisionit Qeveritar për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi duhet të analizohet. Kështu është thënë të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor.

Me këtë rast është theksuar se këtij komisioni i takon që të merret me analizën e tërë materialit dhe metodologjinë e punës së Komisionit Qeveritar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Iniciativës për të diskutuar rreth kësaj çështjeje edhe në këtë komision, i ka prirë deputeti, Shaip Muja i cili ka kërkuar që të formohet edhe një nënkomision, i cili do të vlerësonte nëse marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës me atë të Malit të Zi, është në përputhje me interesat e vendit.

"Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe qëndrimin e opinionit publik rreth kësaj çështjeje, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, duhet kërkuar nga Kryesia e Kuvendit, që këtë temë ta kthejë në riprocedim dhe të shqyrtohet edhe në këtë komision", ka thënë Muja.

Komisioni, ndërkaq, ndonëse nuk mori vendim lidhur me iniciativën e deputetit, Muja, kjo pritet që të ndodhë në një nga mbledhjet e ardhshme të tij.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar edhe amendamentet e Projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit.

Në kuadër të amendamenteve, komisioni përkrahu edhe ato të propozuara nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe të Komisionit për Legjislacion.

Pas kësaj, ky projektligj do të procedohet tutje për shqyrtim edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.