Masa


Vërtetohen dyshimet e Braçes. Tomorri nuk u konsultua për rritjen e çmimit të siguracionit


Shpresa Mezini


Trafiku ne bulevardin e TiranesRritja e çmimit të siguracionit të detyrueshëm të automjeteve, një veprim totalisht i paparalajmëruar dhe i pakonsultuar me Këshillin Mbikëqyrës të INSIG, është bërë shkak për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë publike, Tomorr Kalaja.


Vendimi u mor dje nga Këshilli Mbikëqyrës i INSIG, sipas të cilit rritja e tarifave për sigurimin e TPL-ve, është vendosur nga Kalaja, në formë të paparalajmëruar, pa e analizuar apo diskutuar, më parë, me asnjë prej përfaqësuesve të këshillit të INSIG, një veprim të tillë.


Masa për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të INSIG, vjen pas denoncimit të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, sipas të cilit, brenda një dite të vetme të gjitha kompanitë e sigurimit kanë rritur tarifën TPL për makinat e zakonshme me 6 mijë lekë. Ndërsa theksonte se fakt akoma më shqetësues është se pjesë e këtij veprimi të koordinuar mes kompanive private, është bërë edhe kompania shtetërore INSIG, çka ka sjellë një rritje me rreth 43% të çmimit final.


Disa orë përpara se Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë publike të shkarkonte nga detyra drejtorin e përgjithshëm të saj, nëpërmjet një shkrese zyrtare, drejtuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetit të Konkurrencës dhe Ministrisë së Financave, Braçe kërkoi hetim dhe sqarime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse në lidhje me këtë veprim të koordinuar mes kompanive private dhe INSIG, palë e kësaj marrëveshjeje.


Në shkresën drejtuar institucioneve përgjegjëse theksohet se që prej muajit shkurt të vitit të kaluar e deri më sot, kompanitë e sigurimit e kanë rritur katër herë pagesën e sigurimit të detyrueshëm TPL, ndërsa që prej ditës së martë, rritja është në vlerën e 6 mijë lekëve ose 43% më shumë se çmimi i mëparshëm. Nisur nga faktet, kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat i ka shprehur shqetësimin e institucioneve përgjegjëse lidhur me dyshimet për një marrëveshje karteli të fshehtë, mes operatorëve në treg duke kërkuar hetim, reagim dhe shpjegime të menjëhershme në lidhje me veprimet e fundit dhe këtë treg.


Faktet e sipërpërmendura paraqesin një situatë, e cila na bën të dyshojmë se jemi përpara një marrëveshjeje të përsëritur karteli midis aktorëve në treg. Për këtë arsye, sipas nenit 102, pika 2 në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë reagimin tuaj të menjëhershëm dhe një shpjegim me shkrim nga institucioni që ju përfaqësoni në lidhje me ketë treg dhe veprimin më të fundit në të, shkruan kreu i Komisionit të Ekonomisë.


Ndërkohë, drejtori i INSIG, Kalaja, përpara se të vihej në dijeni për shkarkimin e tij nga detyra, i pyetur për dyshimet e ngritura nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, shpjegoi: Kjo do të bëjë të mundur që kompanitë të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj konsumatorëve duke paguar detyrimet në kohë, si dhe ndaj detyrimit që kemi ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Unë nuk besoj që ka një marrëveshje të mirëfilltë, por ka një lloj dakordësie në heshtje ose një lloj mendimi të përbashkët që rruga për të dalë nga ky rreth vicioz është vetëm kjo. INSIG-u është i detyruar të ndjekë tregun, qoftë kur tregu shkon lart, qoftë kur shkon poshtë, në të kundërt je jashtë tregut.


Menjëherë pas vendimit të këshillit mbikëqyrës të INSIG, reagoi edhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, e cila justifikon rritjen e çmimit të siguracionit, duke shpjeguar disa nga arsyet që kanë ndikuar në sipërmarrjen e këtij vendimi.


Rritja e primit TPL ka ardhur si pasojë e: rritjes së skajshme të numrit të aksidenteve rrugore, rritjes së numrit të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, shërbimit teknik të mjetit shpesh abuziv, infrastrukturës rrugore jo në standardet dhe parametrat e kërkuar e të nevojshëm, rritjes së numrit të mjeteve motorike që qarkullojnë të pasiguruara, rritjes së masës së fondit të kompensimit (200%) i cili financohet nga kompanitë e sigurimeve për dëmshpërblimin e palëve të treta të dëmtuar nga mjete të pasiguruara dhe rritjes artificiale të vie rave dëmshpërblyese me vendime gjyqësore, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.


Ky shkrim Këshilli i INSIG shkarkon nga detyra drejtorin e saj u publikua me pare te Gazeta SHQIP.