Vendet anëtare të OKB-së u takuan dje në një mbledhje jo-zyrtare, për të filluar bisedimet lidhur me çështje të rëndësishme për reformimin e Këshillit të Sigurimit, trupit të fuqishëm të organizatës. Shumë vende duan që Këshilli i Sigurimit prej 15 vendesh të zgjerohet me anëtarë të rinj, për të përfshirë një përfaqësim më të gjerë rajonal dhe anëtarë të tjerë të përhershëm. Objekti i reformës së Këshillit të Sigurimit dhe zgjerimi i këtij organizmi, nuk është diçka e re. Kjo çështje është diskutuar për më tepër se 15 vjet. Por dje, anëtarët e tij më në fund u takuan për të gjetur një zgjidhje. Diplomatët thonë se takimi privat ishte kryesisht për çështje proceduriale dhe se negocitat e rëndësishme do të fillojnë në fillim të marsit. Çështjet që do të diskutohen janë përbërja e Këshillit të Sigurimit, cilat vende kanë të drejtën e vetos, përfaqësimi rajonal, me sa vende do të zgjerohet Këshilli i Sigurimit dhe cilat do të jenë metodat e punës, si dhe marrëdhënia mes Këshillit të Sigurimit dhe 192 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme.