Dy institucionet, ai i Presidentit dhe Kryeministria janë përplasur sërish këtë të enjte, pak orë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen Balili.


Përpara se kryeministri të nisej për një vizitë zyrtare për në Prishtinë, Ëngjëll Agaci i ka kërkuar Presidentit të Republikës që Rama të zëvëndësohej në këtë mbledhje nga zv/kryeministri Niko Peleshi. Por, përgjigjja nga homologu i tij i Presidencës, Ols Lafe, ka qënë negative.


Duket se presidenti Nishani ka refuzuar hapur zëvëndësimin e Ramës me Peleshin. Për Presidentin, prania e kreut të qeverisë në këtë mbledhje vërtet të rëndësishme, të thirrur pak ditë më parë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është shumë e rëndësishme dhe çmohet si e nevojshme për të dhënë mendimet e tij si kryeministër.


Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur për situatën e kultivimit të drogës në vend, kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm, por është zëvëndësuar edhe aty nga Niko Peleshi, ndonëse peshën e debatit në mbledhjen e ndezur e ka mbajtur ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.


Përveç kryetarit të Kuvendit, nesër pritet që të flasë për çështjen Balili ministri Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla si dhe ministri i ri i Drejtësisë, Petrit Vasili, ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha nuk është ftuar në këtë mbedhje nga Presidenti Nishani, pavarësisht denoncimeve dhe akuzave për Klement Balilin.


2 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH