Zyrtarët e Kremlinit thonë se ekziston një marrëveshje që presidenti rus Vladimir Putin dhe president Donald Trump të takohen në një vend të tretë. Njoftimi u bë të mërkurën, ndërkohë që këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, ndodhet në Moskë për bisedime me Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.


Ndihmësi i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov tha se hollësitë lidhur me vendin ku do të mbahet takimi Trump-Putin do të bëhen të njohura në ditët në vijim.


Takimi pritet të mbahet pasi Presidenti Trump të marrë pjesë në takimin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik dhe pasi të ketë vizituar Britaninë më 13 korrik. Ndër vendet ku thuhet se mund të mbahet takimi, janë Viena dhe Helsinki, raporton VOA.


Më parë, presidenti rus Putin i tha Bolton se vizita e tij në Moskë ka shtuar shanset për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Putin tha marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme.


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se situata jo e mirë e marrëdhënieve mes dy vendeve është temë që do të diskutohet në takim, krahas një sërë çështjesh të tjera ndërkombëtare.


28 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)