Mund të quhet një skandal i rëndë ai që ka zbuluar gazeta Shekulli. Këshilltarja e kryeministrit Sali Berisha, Suzana Guxholli nuk ka deklaruar pasurinë e saj prej mbi 1 milion dollarë. Dhe për ters, ajo ka rënë me këmbët e saj brenda. Kështu, në deklaratën e pasurisë, që ajo ka bërë në vitin 2006 kur u bë këshilltare e Berishës, ajo nuk i përfshin këto 1 milion dollarë. Por në një dokument për divorcin e saj zbulohet se ajo ka një pasuri të madhe prej më shumë se 1 milion dollarë. Guxholli, në përpjekje për të marrë pasurinë nga i shoqi i saj inxhinieri Besnik Pani, me të cilin po divorcohej, ka përgatitur një akt ekspertimi të pasurisë që i takon asaj. Dhe në këtë akt ekspertimi, që është siguruar nga Shekulli, ajo thotë se ka mbi 1 milion dollarë pasuri, plus një apartament në Budapest.


Me siguri që në vitin 2006, kur Guxholli ka përgatitur deklaratën e pasurisë, nuk e ka ditur se më vonë do divorcohej dhe do duhej të zbardhte pasurinë për efekt gjyqi, duke na treguar edhe ne realisht se ka një pasuri gjigande, të cilën po e fsheh, siç me shumë gjasë bëjnë shumica e politikanëve.