Milani mori një tjetër fitore, teksa këtë herë mposhti me rezultatin 1-2 Kaljarin në Sardegna. Kuqezinjtë e panë veten në disavantazh shumë shpejt, pas golit të Barella-s, që befasoi portierin Donaruma.


Gjithsesi, skuadra e Gatzuzos reagoi dhe shënoi 2 gola me anë të Kessie, fillimisht me penallti në të 36-ën dhe më pas në të 42-tën, pas asistit të Kaliniç.


Në 45-minutëshin e dytë Kaljari e rriti presingun, por pa arritur të gjejë golin e barazimit, ndërsa të 2 skuadrat e mbyllën takimin me 10 futbollistë pas kartonëve të kuq të marrë nga Rodriguez dhe Barella.


Në sekondat e fundit, sardët i shkuan shumë pranë golit të barazimit, pas një krosimi nga këndi, por goditja me kokë e Pavolettit, kaloi ngjitur me shtyllën e portës së Donarumës.


21 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)