Debati mbi reformimin e arsimit të lartë ka dominuar javët e fundit hapësirën publike dhe vëmendjen mediatike në vendin tonë. Për vetë rëndësinë që ka arsimi i lartë në jetën e shoqërisë dhe në kushtet e krizës së rëndë që po kalon sistemi universitar në Shqipëri, një debat i tillë është tërësisht i legjitimuar dhe i domosdoshëm. Por, ky debat mund të ishte shumë më i dobishëm, nëse pjesëmarrja në të do të motivohej dhe orientohej jo nga interesat private, ose nga egoja e sëmurë e disa prej kundërshtarëve më cinikë dhe më vokalë të kësaj reforme, por nga interesi i gjerë publik, edhe pse jo të gjithë mund të pajtohemi me atë se çfarë duhet kuptuar me interes publik.
Edhe më parë, në librat e mi Dija Universiteti dhe demokracia (2012) dhe Arsim i lartë për një shoqëri të hapur (2013), por, sidomos, në një artikull të gjatë, titulluar “Kush i trembet reformës së arsimit të lartë dhe pse?” (gazeta MAPO, 12-13 maj 2014), kam argumentuar domosdoshmërinë e reformës së sistemit tonë universitar dhe kam mbështetur draftin e parë të hartuar nga Komisioni i ngritur për këtë qëllim, me gjithë vërejtjet e shumta që kisha për të. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në të cilën bëj pjesë. Me këto qëndrime pro reformës nuk pajtohen disa intelektualë, të cilët e hedhin poshtë platformën e saj in toto. Kjo, sigurisht, është një e drejtë e tyre, por ajo që më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje është se asnjë prej kundërshtarëve të kësaj reforme nuk ka parashtruar deri më sot asnjë ide të vetme interesante, ose alternative. Ajo që e ka karakterizuar — dhe dominuar — këtë opozitë “intelektuale” ndaj reformës së arsimit të lartë është një nihilizëm total dhe, te ndonjë, një lloj narcisizmi intelektual që, pavarësisht dukjes, shprehin prapambetje dhe konservatorizëm.
Pak kohë më parë, kolegu im Blendi Kajsiu, botoi në gazetën Panorama një artikull me titullin alarmues “Rreziku i reformës së arsimit të lartë”. Javën e kaluar, publicisti Fatos Lubonja botoi, po në të njëjtën gazetë, një shkrim në të cilin, qysh në titullin e tij, e cilësonte draftin e reformës për arsimin e lartë si një projekt “në shërbim të sistemit oligarko-mafioz”. Unë nuk dëshiroj të merrem me asnjërin prej tyre. Në rastin e parë, z. Kajsiu këndon një avaz të vjetër, atë mbi pamundësinë e financimit të një sistemi universitar modern në vendin tonë, duke u marrë me konceptet politike “e majtë” (sociale) dhe “e djathtë” (liberale), por pa dhënë ndonjë ide për problemet themelore me të cilat përballet arsimi i lartë në Shqipëri dhe për zgjidhjet e mundshme të tyre. Dallimi midis qëndrimit të tij dhe qëndrimit tim për këtë problem është ky: Për z. Kajsiu, Shqipëria është një vend i varfër për të qenë në gjendje të krijojë një sistem modern të arsimit të lartë; për mua, Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend i zhvilluar dhe i pasur pa ndërtuar një sistem shkollor dhe universitar modern.
Z. Lubonja, nga ana e tij, bën të njëjtën zhurmë mediatike që jemi mësuar ta dëgjojmë prej kohësh për çdo gjë, por dëshmon se nuk i njeh aspak problemet e sistemit tonë universitar dhe, për një varg arsyesh, as është në gjendje të ofrojë ndonjë ide me vlerë për daljen nga kriza që ky sistem përjeton për një kohë të gjatë. Për të, zhurma mediatike për problemet e arsimit të lartë dhe pëlqimet ose mospëlqimet e tij, si individ, për individë të tjerë dhe për institucione të caktuara, ka më shumë rëndësi sesa vetë problemet që kanë nevojë për zgjidhje. Kolegu im i nderuar në Universitetin Europian të Tiranës, Gilman Bakalli, i ktheu z. Lubonja, pak ditë më parë, një përgjigje të urtë, së cilës unë nuk do i hiqja dhe as do i shtoja ndonjë gjë me rëndësi.
Rasti, të cilit mendoj se nuk mund e nuk duhet t’i shmangem, ka të bëjë me qëndrimin e një tjetër individi, ish-kolegut tim Artan Fuga, i cili, duket se është vënë në krye të fushatës anti-reformë duke mobilizuar “ndjekësit” e tij në Facebook dhe disa studentë të fakultetit ku ai vetë jep mësim, në Universitetin e Tiranës, për ta kundërshtuar, përmes çdo forme të mundur proteste, reformimin e universiteteve shqiptare.
Një analogji (ndoshta jo shumë e gjetur)
Unë nuk jam shumë i dhënë pas rrjeteve sociale online, me përjashtim të atyre që më ndihmojnë të mbaj lidhje dhe të shkëmbej punët e mia e të dhëna të tjera me komunitete akademike, brenda e jashtë vendit, si ResearchGate, Academia.edu dhe LinkedIn. Po kështu, deri më sot, nuk kam pasur dhe nuk kam ndonjë konsideratë të veçantë për ata intelektualë ose pedagogë që kalojnë orë pa fund në Facebook, si adoleshentë, ose si studentë që shoqërinë e tyre e kërkojnë më shumë në hapësirën kibernetike dhe jetën e tyre e jetojnë më shumë online. Këtë, madje, e konsideroj si një varfëri intelektuale dhe si një deficit social për individin. Qofsha i gabuar!
Ka edhe individë që Facebook-un e kanë bërë një “mjet pune”, “laborator”, “ekspozitë fotografike”, “dhomë gjumi”, ose “akumulues orgoni” dhe, përmes tij, komunikojnë me një publik virtual që “i pëlqen”, ose “i aprovon” ata. Ka, madje, edhe profesorë që komunikimet e tyre me këtë “publik”, shumë herë të panjohur për ta, i botojnë, plot zell, fjalë për fjalë, në shtypin shqiptar, si një shembull të komunikimit në “hapësirën publike”. Një prej tyre është edhe z.Artan Fuga, i cili, komunikimin përmes Facebook-ut e konsideron si “sprovë të një gazetarie të re eksperimentale, ku stili është ai i komunikimit me qytetarin që merr pjesë sinkron në shkrimin e materialit”. Unë nuk kam pse ta (para)gjykoj z. Fuga për eksperimentet e tij në praktikën komunikative dhe për pasionin e tij për komunitetet online, por nuk mund ta kuptoj se si, fjala vjen, kur dikush i shkruan atij në Facebook, “profesor, je i madh”, z. Fuga, i riprodhon këto fjalë, të thëna atij privatisht, në një shkrim gazete për publikun e gjerë! Me sa duket, kjo është mënyra për ta bërë “qytetarin të marrë pjesë sinkron në shkrimin e materialit”!
Kjo është një çështje personale e tij dhe mua, sado i çuditshëm të më duket ky qëndrim, nuk më intereson aspak se ç’mendim ka z. Fuga për veten e vet. Por, kohët e fundit, nga “laboratori” i tij virtual në Facebook, ky profesor është përpjekur të dezinformojë të rinjtë shqiptarë mbi motivet dhe efektet e vërteta të reformës së arsimit të lartë në vendin tonë. Mesazhi që ai u jep “miqve” të tij në Facebook është, as më shumë, as më pak, ky: “Ata që nuk kanë lekë, do t’i lënë përgjysmë studimet.... Masterat dhe profesionet e mira do të jenë për ata që kanë mamin e pasur dhe babin pilot në Divjakë...”. Këto thotë profesori Fuga, këto janë idetë e tij për reformën e arsimit të lartë dhe ky është kontributi i tij në përmirësimin e sistemit tonë universitar.
Kur i lexova këto fjalë, të cilat m’i pasoi një studenti im, i habitur nga qëndrimi i z. Fuga, nuk e di pse m’u kujtuan ata intelektualë francezë të shekullit të 18-të, të cilët i trembte “Bota e Re” (Amerika), që sapo kish filluar të popullohej me europianë dhe, prandaj, e paraqisnin atë si karikaturë duke shpifur për të. Në një kontekst historik e social krejt tjetër, fjalët e z. Fuga më kujtojnë ato të Buffon-it në shekullin e 18-të, i cili, edhe pse nuk e vizitoi kurrë Amerikën, u bë promovuesi i një prej fushatave dezinformuese anti-amerikane më të egra, duke predikuar se, për shkak të tipareve e të disa avantazheve gjeologjike e klimaterike të saj, në Amerikë “qentë nuk lehin, zogjtë nuk këndojnë dhe njerëzit janë më pak inteligjentë”. Këtë tezë irracionale mbi natyrën “degjenerative” të Amerikës e përdori me shumë entuziazëm, po në shekullin e 18-të, Cornelius de Pauw, i cili, duke shërbyer në oborrin e Frederikut të Madh, u përpoq t’i dekurajonte gjermanët që të mos emigronin në Amerikën e Veriut. Jo vetëm në shekujt e 18-të dhe 19-të, por edhe në mes të shekullit të 20-të, ka pasur intelektualë europianë që shkruanin, fjala vjen, se në Shtetet e Bashkuara, fizionomia e emigrantëve transformohej brenda tri viteve: “emigrantët nga Europa Veriore dhe Qendrore bëheshin indianë, ndërsa ata nga Europa Jugore bëheshin negroidë”.
Sot, një profesor shqiptar i filozofisë u thotë studentëve të tij se përqafimi i një modeli të ri të arsimit të lartë për vendin tonë, i ngjashëm me atë britanik, do t’i linte studentët shqiptarë pa shkollë, ose do u mundësonte profesione të mira vetëm atyre vajzave e djemve, nënat e të cilëve janë “të pasura”, ose atyre që i kanë baballarët “pilotë” kaçatorrësh në Lazarat ose në Divjakë. Nuk do të bie në pozitat e ish-kolegut tim dhe as në këtë nivel arsyetimi. Po kështu, rezervohem ta konsideroj qëndrimin e tij si shprehje të një impulsi “kundër-modernizues”. Këtu dëshiroj vetëm ta kundërshtoj z. Fuga në lidhje me një tjetër prononcim të tij në “mjedisin” e tij të preferuar, në Facebook, pak ditë më parë.
Dy akademi dhe z. Fuga si vlerësues i së vërtetës
Duke marrë shkas nga një parashtresë për reformën e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, që Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave e bëri të njohur për qeverinë dhe publikun shqiptar, z. Fuga, u përpoq të hidhte baltë mbi këtë Akademi, i trembur, mesa duket, nga mbështetja që anëtarët e saj i japin reformës së arsimit të lartë. Unë s’do të kisha as më të voglën dëshirë të nisja një polemikë tjetër me Artan Fugën por, ngaqë nuk bëhet fjalë për interesa vetjake të miat, më duhet të shkruaj disa radhë, për t’i lënë të kuptojë z. Fuga se raportet private mes njerëzve, xhelozitë dhe pakënaqësitë personale që ata mund të kenë ndaj dikujt, ndaj një grupi njerëzish, ose ndaj zgjidhjeve që propozohen për një çështje kombëtare madhore, siç është reformimi i arsimit të lartë, nuk mund t’ua zënë vendin analizave të mirëfillta dhe nuk mund të justifikojnë një gjuhë të padenjë, si ajo që përdor ai. Dhe, ndryshe nga ai, këtë polemikë unë zgjedh ta bëjë në një fushë të hapur për këdo, siç është shtypi, dhe jo adresa e tij në Facebook.
Po kështu, nuk do të kisha marrë mundim të polemizoja me z. Fuga, nëse në qëndrimet e tij ndaj Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe ndaj një pjese të anëtarëve të saj nuk do të vija re të njëjtin qëndrim nihilist, narcisist, anti-reformë që ai mban sot edhe ndaj reformimit të sistemit universitar. Sepse, në fakt, krijimi i një Akademie alternative, ose komplementare, siç është Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, është një risi për vendin tonë, që shënon një reformë progresiste në fushat e artit e të shkencës, një zhvillim që shqetëson dhe tremb vetëm ata që duan të ruajnë status quo-në e Akademisë ekzistuese të Shkencave dhe privilegjet e tyre.
Nëse z. Fuga do të ishte zgjedhur të bënte pjesë në Komisionin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, sot ai do të mbante, ndoshta, një qëndrim të ndryshëm ndaj punës së këtij Komisioni dhe Raportit të parë që ai ka përgatitur për reformimin e arsimit të lartë. Po kështu, ai nuk do të fliste me një gjuhë fyerëse, përtej çdo etike të komunikimit në publik, për një organizatë shumë të respektuar, si Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, e cila ka në gjirin e saj disa prej personaliteteve më të shquara të artit, të kulturës e të shkencës në këtë vend. Kjo akademi mbështetet, gjithashtu, nga disa prej intelektualëve më të shquar e më me influencë në mendimin e sotëm shoqëror, të cilët janë bërë anëtarë nderi të kësaj akademie, si Lordi Anthony Giddens (sociologu më i njohur dhe më i cituar në kohën tonë), Craig Calhoun (Drejtori i London School of Economics), Amitai Etzioni (një ndër intelektualët amerikanë më me influencë dhe ish-këshilltar kryesor i Shtëpisë së Bardhë), Pierre Hassner (fitues i Çmimit “Alexis de Tocqueville”) etj.
Z. Fuga e sheh të nevojshme t’ua prezantojë Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave “miqve” të tij në Facebook thjesht si një OJQ, që “nuk ka të bëjë fare me Akademinë e vërtetë të Shkencave”, në të cilën bën pjesë ai vetë. Ai bën “filozofin e gjithëditur”, duke pretenduar se e di ç’është “e vërtetë” dhe ç’është “e pavërtetë”, se cila nga të dyja akademitë e shkencave (njëra edhe e arteve) që ekzistojnë tashmë në Shqipëri është akademia “e vërtetë”, ose akademia që ekziston përtej çdo dyshimi, dhe cila prej tyre është akademia “e pavërtetë”, ose ajo “e dyshimtë”, që “nuk ka të bëjë fare me Akademinë e vërtetë të Shkencave”. Akademia në të cilën bën pjesë Artan Fuga është e vërteta, ajo në të cilën bëjnë pjesë vëllai i tij, Përparim Fuga dhe Fatos Tarifa, dy ndër themeluesit e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, si edhe disa dhjetëra njerëz të shquar të këtij vendi, është “e pavërtetë”.
Z. Fuga nuk thotë se mbi ç’kritere bazohet ai për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta. Unë vetë nuk shoh ndonjë kriter tjetër të mundshëm veç atij që, ndërsa Akademinë “e vërtetë” të Shkencave e ka krijuar dhe e ka mbushur me anëtarë vetë shteti, Akademia “e pavërtetë”, e cila tashmë njihet jo vetëm ligjërisht, por edhe nga publiku i informuar shqiptar me emrin Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, është krijuar jo nga shteti, por si një bashkim vullnetar intelektualësh që nuk marrin asnjë qindarkë të vetme nga shteti dhe që, ndër të tjera edhe për këtë arsye, kanë kurajën të flasin për problemet e mëdha të shoqërisë sonë dhe të sugjerojnë zgjidhje racionale për to. Në dallim nga z. Fuga, anëtarët e kësaj akademie nuk e shpërdorojnë kuptimin mbi të vërtetën duke u marrë xhelozisht me arsyetime të kota të llojit “kush je ti, kush jam unë”, “ne bëjmë, ju s’bëni”, “ne jemi akademikët e vërtetë, ju jeni sozitë tona”. Në Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave artistët dhe studiuesit që janë pjesë e saj, bëjnë punë të mira dhe pa pagesë, jo llogje të paguara me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Z. Fuga nuk ka si ta dijë se Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është themeluar sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences), e krijuar në vitin 1780, gjatë Revolucionit Amerikan, nga personalitetet më të shquara të kohës në atë vend, si John Adams dhe Samuel Adams, të cilëve iu bashkuan më vonë George Washington, Benjamin Franklin, Thomas Jefferson, Alexander Hamilton e, po kështu, Daniel Webster, Henry Wadsworth Longfellow, Ralph Waldo Emerson, Albert Einstein, Woodrow Wilson, William Howard Taft, dhe shumë mendje të tjera të ndritura në Amerikë e jashtë saj, si John Stuart Mill, Niels Bohr, Winston Churchill, Claude Levi-Strauss, Anthony Giddens etj.
Z. Fuga nuk e di, gjithashtu, se në Shtetet e Bashkuara, përveç Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, me seli në Kejmbrixh (Masaçusets), ekziston edhe Akademia Kombëtare e Shkencave (National Academy of Sciences), me seli në Uashington, DC, e cila u krijua në vitin 1863, në kulmin e Luftës Civile në atë vend, pra afro një shekull pas krijimit të Akademisë së parë, dhe se, përveç këtyre dy akademive, në SHBA dhe në vende të tjera perëndimore, ka edhe akademi të tjera artesh e shkencash që janë, gjithashtu, të vërteta e shumë prestigjioze. Z. Fuga Shqipëria i duket shumë e vogël për të pasur dy akademi shkencash. Por ja që Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ka në përbërje të saj shkencëtarë, studiues, shkrimtarë dhe artistë të shquar shqiptarë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga diaspora shqiptare, këtej dhe andej Atlantikut. Ai nuk e di se kjo akademi do të jetë së shpejti, ashtu siç është ndërkohë edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, anëtare me të drejta të barabarta e federatës së të Gjitha Akademive Europiane (the federation of All European Academies—ALLEA), sepse ata që e ideuan, e krijuan dhe e drejtojnë këtë federate mbareuropiane, në të cilën bëjnë pjesë 58 akademi nga 40 vende europiane (që do të thotë se disa vende përfaqësohen në të me dy akademi), kanë pasur dhe kanë një tjetër kuptim mbi “të vërtetën” në shkencë dhe në botën akademike nga kuptimi që ka z. Fuga.
Z. Fuga mund të ishte interesuar të mësonte diçka mbi mënyrën se si krijohen dhe funksionojnë akademitë e vërteta, ndryshe nga ato të tipit sovjetik, në një prej të cilave ai vetë bën pjesë. Ashtu si Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave, edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është themeluar e funksionon si një shoqatë e pavarur, joqeveritare. Ajo është krijuar jo me njerëz të pëlqyer, të zgjedhur e të paguar nga qeveria, por nga poshtë, si një bashkim vullnetar krijuesisht të lirë e të pavarur, që e duan vendin e tyre dhe që kanë provuar me vepra se i shërbejnë me devotshmëri zhvillimit të artit, të kulturës, të arsimit e të shkencës, brenda e jashtë vendit. Në radhët e tyre ka edhe shumë personalitete të një rangu botëror, të cilët edhe vetë z. Fuga, i konsideron “personalitete serioze” dhe i respekton, dhe me të cilat ai vetë, pra edhe vetë z. Fuga, mendon se “ia vlen të bisedohet”. Por jo me të tjerët dhe (vini re, ju lutem), sidomos, jo me “ata që nuk kanë fare lidhje me arsimin, nuk punojnë fare në universitete, dhe nuk e njohin hiç botën universitare, sepse ose nuk kanë punuar asnjë ditë në të, ose e ngatërrojnë me aktivitete të tjera”.
Sa nihiliste tingëllojnë këto fjalë të filozofit Fuga krahasuar me ato të një artisteje të madhe, si Ermonela Jaho, një ndër anëtaret themeluese të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, e cila, pak kohë më parë, shprehej publikisht në këtë mënyrë: “Duhet të mblidhemi [të tërë] ata njerëz që kanë një vështrim pozitiv për Shqipërinë e për artin dhe të ndezim një dritë në fund të tunelit për shoqërinë dhe rininë shqiptare.... Kur bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ne shqiptarët bëjmë mrekullira”. Më thoni, ju lutem, lexues të nderuar, se cilat fjalë përmbajnë mesazhin që ju doni të dëgjoni nga intelektualët e vërtetë të këtij vendi, ato të z. Fuga, që mendon për veten e tij si të ishte i vetmi “akademik i vërtetë”, apo fjalët plot atdhedashuri të një artisteje të jashtëzakonshme, si Ermonela Jaho, e cila, edhe pse jeton në Manhattan dhe luan në teatrot më të shkëlqyera të botës, e do këtë vend dhe kontribuon për të, ndër të tjera, edhe duke qenë një ndër anëtaret më aktive të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Siç përmenda edhe më lart, z. Fuga është skeptik, madje cinik ndaj qëndrimit parimor të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave mbi domosdoshmërinë e reformimit të arsimit të lartë në vendin tonë, pasi një pjesë e anëtarëve të saj, sipas tij, “nuk kanë fare lidhje me arsimin...”. Ky arsyetim është tepër naiv për t’u marrë seriozisht në konsideratë. Sikur të bëhej fjalë jo për arsimin e lartë, por për një çështje tepër specifike, për një specializim të ngushtë në mjekësi, në gjeologji, në astrofizikë, ose për industritë e së ardhmes, të mbështetura në nanoteknologjitë dhe në bioteknologjinë, të cilat kërkojnë një shkallë shumë të lartë specializimi. Z. Fuga mendon se problemet e arsimit të lartë i kuptojnë dhe i njohin vetëm pedagogët e universiteteve shtetërore, por jo të tjerët ¯ as prindërit, as vetë studentët, as përfaqësuesit e biznesit si një grup i madh interesi, as të gjithë ata specialistë me arsim të lartë që kanë studiuar dhe shërbejnë në profesione kaq të nderuara, si ai i mjekut, inxhinierit, agronomit, historianit, por që nuk japin leksione në universitet, as ata shkrimtarë dhe artistë të shquar të të gjitha zhanreve, të cilët lexohen, shihen, dëgjohen dhe admirohen nga miliona artdashës dhe njerëz të arsimuar kudo në botë. Këta të gjithë, sipas z. Fuga, nuk dinë se ç’është arsimi i lartë dhe cilat janë problemet dhe nevojat e tij sot e për të ardhmen. Këto i di vetëm ai, z. Fuga, por ja që (si ka mundësi?!), atë e kanë lënë jashtë atij Komisioni që është ngarkuar të hartojë programin e kësaj reforme.
Reagimi nervoz i z. Fuga ndaj punës së atij Komisioni, si edhe ndaj qëndrimit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave që e mbështet reformën e arsimit të lartë ka vetëm një shkak. Ky shkak është vetë z. Fuga. Shkaqet apo arsyet e tjera që përmend ai janë alibi. Problemet e arsimit të lartë, ashtu si edhe ato të çdo hallke tjetër të sistemit arsimor, janë probleme jo vetëm të pedagogëve të universiteteve shtetërore, por probleme madhore për tërë shoqërinë, sepse, si qytetarë, si prindër, si studentë, si specialistë në fushat respektive të artit, të shkencës e të çdo veprimtarie ekonomike, profesionale e shoqërore, dhjetëra e qindra mijëra nga ne jemi po aq të interesuar sa edhe z. Fuga, që arsimi i lartë në vendin tonë të ecë përpara e t’u përgjigjet kushteve e nevojave të shekullit të 21-të.
Nëse për z. Fuga arsimi i lartë është një domein vetëm i pedagogëve të universiteteve shtetërore, për mua dhe për anëtarët e tjerë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, siç jemi shprehur publikisht në Forumin e Dytë të kësaj Akademie, në korrik të vitit 2012, besimi tek arsimi i lartë qëndron në idenë e zhvillimit tonë pozitiv intelektual dhe moral, si edhe në mundësinë për të përballuar sfida personale dhe intelektuale në jetë, për të zgjeruar shkallën e lirisë dhe për të testuar kufijtë e njohjes dhe të veprimit tonë njerëzor. Ne vlerësojmë se arsimi i lartë ka qenë dhe mbetet një ndër faktorët kryesore për zhvillimin e kapitalit njerëzor, si kudo edhe në shoqërinë shqiptare, pasi ai krijon dhe zgjeron resurset e ekspertizës njerëzore të domosdoshme për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe për ristrukturimin e zhvillimin e shoqërisë.
Të mos trembemi nga reforma
Artan Fuga u thotë një grushti studentësh, me të cilët duket se shpenzon kohën e lirë dhe kohën e punës në blogosferë, se “drafti [i reformës së arsimit të lartë] ka krijuar kaos, nuk prodhon koherencë, nuk gjen aprovimin masiv të botës intelektuale, prandaj [ai] është mirë të vendoset në raft, dhe fuqia publike të hapë rrugë për një reformë të drejtë, bashkëkohore dhe progresive, jo për të mbushur xhepat e diplomaprodhuesve të papunësisë intelektuale”.
Ky nuk është një pozicion racional kritik në debatin mbi reformën e arsimit të lartë në Shqipëri. Ky është reagimi i nevrikosur i një individi që përfaqëson një masë pedagogësh, të cilëve kjo reformë rrezikon t’u anulojë statusin e tyre akademik të privilegjuar, me të cilin kanë vegjetuar e mbijetuar deri më sot, duke e mjelë me të dyja duart sistemin ekzistues të arsimit të lartë, përfshirë edhe ato universitete private që tani i akuzojnë se po shfrytëzojnë punonjësit e tyre për të lobuar për këtë reformë që z. Fuga dhe ata që i shkojnë pas i tremb.
Siç jam shprehur edhe në një rast tjetër, për mua, ata individë që e kundërshtojnë reformën universitare dhe modelin e propozuar, bëhen mbrojtës të sistemit etatist të arsimit të lartë, i cili, deri më sot, ka ruajtur për ta privilegje të pamerituara dhe ka mundësuar kushtet që e bëjnë të mundur vijimin e mëtejshëm të këtyre privilegjeve dhe të vetë sistemit që i krijon dhe i mbron ato.
* Fatos Tarifa është
Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut Tiranë, dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)