Plazhi-i-Shen-Vasilit-KaraburunDisa emra dhe kompani të njohura janë "viktima" të skemës mashtruese me falsifikimin e dokumenteve në plazhin e Shën Vasilit, në Karaburun. Pak ditë më parë, Prokuroria e Vlorës njoftoi se kishte marrë lejen e gjykatës për sekuestrimin e 220 hektarëve tokë në zonën bregdetare të gadishullit, vlera e të cilës arrinte në shifrën spektakolare të 100 milionë eurove.

Rajmond Mezi, në emër të të cilit ishte regjistruar kjo pronë me anën e dokumenteve të falsifikuar, është pjesë e një rrjeti mashtrues, të përbërë nga avokatë, noterë, punonjës të Hipotekës Vlorë dhe administratës së gjykatës. Deri më tani, janë arrestuar 5 persona, ndërkohë që kjo listë mund të vijojë.

Rajmond Mezi, me ndihmën e një notereje dhe një avokati, ka shitur disa pjesë të truallit tek disa personazhe publike, të cilëve aktualisht u është sekuestruar prona, si pasojë e burimit fillestar të paligjshëm të saj. "Boldnews.al" ka arritur të shohë vendimin e gjykatës së Vlorës për sekuestrimin e plazhit të Shën Vasilit në Karaburun, ku gjenden edhe emrat e personave që kanë blerë në truallin e përfshirë në skemën mashtruese.

Kompania "House of Arts", e deputetit socialist Fidel Ylli, në bashkëpunim me kompaninë "Digital Network" zotërojnë 90 hektarë, të blera në vitin 2014, në vlerën 180 mijë euro nga Rajmond Mezi.

Tashmë, prona e regjistruar në emër të dy shoqërive nga Tirana gjendet e sekuestruar, me vendim të gjykatës, pas kërkesë së Prokurorisë së Vlorës.

Një tjetër blerës i fuqishëm në këtë truall të sekuestruar është biznesmeni vlonjat Artur Shehu. Ky është një emër i njohur si në fushën financiare, ashtu edhe në atë penale. Shumë vite më parë, ai ka pasur përplasje të ashpra me një personazh të njohur të botës së krimit, Zani Çaushi.

Pak kohë para arrestimit të Çaushit, Artur Shehu u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2010, emri i Shehut përmendet sërish në hetimin e gjykatës së Leçes, ku personazh kryesor ishte Albino Prudentino, një ndër bosët e klanit mafioz "Sacra Corona Unita".

Ky i fundit u arrestua në Vlorë, në bazë të një urdhri ndërkombëtar të autoriteteve italiane. Hetimet e Prokurorisë së Leçes arritën të provonin se Prudentino kishte arritur të krijonte një rrjet pastrimi parash në Shqipëri, me ndihmën e disa banorëve të Vlorës, përfshirë edhe Artur Shehun.

Emri i këtij të fundit rezulton edhe në listën e personave që kanë blerë prona te Rajmond Mezi. Më konkretisht, Shehu ka blerë disa parcela në plazhin e Shën Vasilit, në sipërfaqe totale rreth 100 hektarë. E gjithë kjo pasuri në emër të Shehut, gjithashtu është sekuestruar me të njëjtin vendim të gjykatës. Për blerjen e pasurive të paluajtshme, Shehu ka autorizuar noteren tashmë të arrestuar, Belona Seraj, kontaktet me të cilën i zhvillonte në një vend të Bashkimit Europian.

Lista e "viktimave" të skemën mashtruese vijon me një tjetër biznesmen vlonjat, Thodhori Gjiknuri, i cili gjithashtu ka blerë rreth 20 hektarë./boldnews/