Babai i Khabib Nurmagomedov ka deklaruar se do të ishte i lumtur nëse djali i tij do të duelonte ndaj Floyd Mayweather në të ardhmen, duke shtuar se do të ftonte për stërvitje ish-boksierin amerikan të peshës së rëndë Mike Tyson dhe për ta patur në staf gjatë duelit.


Mayweather dhe Nurmagomedov prej disa ditësh kanë shprehur dëshirën për tu përballur mes tyre në një duel boksi në Las Vegas gjatë 2019-ës, për të përsëritur atë që boksieri amerikan bëri një vit më parë me Conor McGregor.


Duke folur për mediat ruse, Abdulmanap Nurmagomedov, u shpreh: Nëse Khabib do të ketë mundësinë të duelojë ndaj Mayweather do të ketë më shumë shanse për ta mundur boksierin amerikan. Khabib do ti shkojë këtij dueli deri në fund. Për këtë sfidë, do të doja në stafin tonë specialistët më të mëdhenj të boksit botëror, Anatoly Lomachenko dhe Mike Tyson.


Megjithatë, babai i kampionit të botës tha se për të fillimisht e rëndësishme është të mësojë fatin e djalit të tij pas hetimeve të Komisionit të Sportit të Nevadës, pas incidentit që u krijua pas eventit UFC-229. Është shpejt për të folur për një marrëveshje për këtë duel boksi, por jam i sigurtë se Khabib ka shumë shanse për ta fituar atë duel, tha Abdulmanap Nurmagomedov.


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)