Njoftimi i Koresë së Veriut se do të ndalojë testet bërthamore dhe raketore është pritur me ovacione në Perëndim, por edhe në hapësirën e gjerë ndërkombëtare.


“Prej 21 prillit, Koreja e Veriut do të ndalojë testet bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale”, tha Kim Jong-un sot.


Udhëheqësi Kim Jong-un lajmëroi kështu se testet e mëtejshme nuk ishin të nevojshme, pasi Veriu kishte treguar se kishte armë bërthamore dhe këtë deklaratë të tij, homologu amerikan Donald Trump e përshkroi si “lajm i mirë për botën, dhe Koreja e Jugut tha se ishte përparim kuptimplotë.


BE në krahun tjetër theksoi se ishte vendim “pozitiv”, por kërkoi denuklearizim të plotë. Koreja e Veriut është duke u përgatitur për samitet historike me Korenë e Jugut dhe SHBA.


Njoftimi i papritur, i transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA e vendit diktatorial, thekson gjithashtu se një vendtestim i armëve bërthamore do të mbyllet.


Duke e mirëpritur vendimin me një cicërim në Tëitter, Trump tha se ishte duke pritur me padurim një takim ballë për ballë me Kim në qershor.


Ndërkohë Kim dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in do të takohen javën e ardhshme për samitin e parë ndër-korean në më shumë se një dekadë.


Zyra e zotit Moon tha se vendimi i Veriut do të “kontribuojë në krijimin e një mjedisi shumë pozitiv për suksesin e Samitit të ardhshëm Jug-Veri dhe Samitin e Veriut dhe të Shteteve të Bashkuara”.


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se ishte një “hap i kërkuar gjatë” që duhet të çojë në “denuklearizimin e verifikueshëm dhe të pakthyeshëm”.


Thirrja u përsërit nga Mbretëria e Bashkuar. Në deklaratën e qeverisë britanike thuhej: “Ne shpresojmë që kjo të tregojë një përpjekje për të negociuar në mirëbesim”.


SHBA dhe aleatët e saj po e shtyjnë Phenianin të braktisë armët bërthamore. Kina, mbështetësi kryesor i Koresë së Veriut, tha se besonte se masa do të “ndihmojë në përmirësimin e situatës në gadishull”.


Ministria e jashtme e Rusisë gjithashtu e mirëpriti atë, por i bëri thirrje SHBA dhe Koresë së Jugut që të reduktojnë aktivitetin e tyre ushtarak në rajon.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)