Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ranë dakord që të bashkëpunojnë për të parandaluar testet e raketave balistike dhe zhvillimin e programeve bërthamore nga Koreja e Veriut.


Lajmi u komunikua nga vetë liderët e vendeve respektive, Xi Jinping dhe Barack Obama gjatë Samitit të Sigurisë Nukleare, ku ata mbajtën edhe një takim dypalësh. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Obama tha se ky bashkëpunim është mjaft i nevojshëm për të evituar përshkallëzimet e tensioneve në arenën ndërkombëtare.


Ndërkohë, Jinping u zotua se Kina do t’i qëndronte strikte të gjitha sanksioneve që u aprovuan më herët nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ndaj shtetit diktatorial. Megjithatë, pavarësisht diskutimeve të mbajtura mes tyre, Koreja e Veriut testoi një tjetër raketë balistike në brigjet e saj lindore.


Presidenti Obama priti afro 60 delegacione në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të Samitit të Sigurisë Nukleare i cili gjatë këtij viti ishte parashikuar të zhvillohej në Uashington. Ndër të tjera, liderët kanë diskutuar mbi mundësitë e parandalimit të terroristëve nga përdorimi i armëve bërthamore si dhe shtimi i sigurisë në këtë sektor.


Obama mbajti edhe një takim me homologun e tij francez, Francois Hollande, me të cilin diskutoi rreth akteve terroriste që kanë goditur Evropën gjatë muajve të fundit. Gjatë fjalës së tyre, ata shprehën vullnetin e njëtrajtshëm për të bashkëpunuar, teksa nënvizuan se është mjaft e rëndësishme që të ketë masa të shtuara të sigurisë.


/Ora News/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter