Kina, e cila ka lidhje të forta ushtarake dhe ekonomike me Pakistanin, i ka dalë në mbështetje Islamabadit pas tensioneve të krijuara midis Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara, mbi kontributin e Pakistanit në luftën kundër ekstremistëve.


Në një vizitë të mërkurën në kryeqytetin e Pakistanit, ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieçi, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë kontributin e Pakistanit kundër terrorizmit.


Ai i bëri thirrje Uashingtonit për të forcuar marrëdhëniet e saj me pakistanezët.


Marrëdhëniet SHBA-Pakistan u përkeqësuan kohët fundit, kur një doktor pakistanez u dënua me 33 vjet burg, pasi kishte ndihmuar SHBA-të në gjetjen e vendndodhjes së liderit të Al-Kaidës, Osama Bin Laden, i cili u vra një vit më parë në Pakistan nga forcat speciale amerikane.


SHBA e ka konsideruar dënimin me burg si të padrejtë dhe të pajustifikuar. / REL