SHBA-ja anulon një test raketor në përpjekje për të qetësuar udhëheqësit komunistë


korejaQeveria e Kinës paralajmëroi rrezikun nga ngatërrestarët përreth vetes, në një goditje që dukshëm i adresohet Koresë së Veriut, por shtetit komunist nuk iu përmend emri drejtpërsëdrejti. Po dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan shtyrjen për më vonë të një testi raketor, me shpresë se do të zbuten tensionet në gadishullin e Koresë.


Shteti komunist, i udhëhequr nga 30-vjeçari Kim Jong-un, ka nisur prej javësh një fushatë propagande luftarake kundër SHBA-së dhe Koresë së Jugut.


Kina është mbështetësi i vetëm financiar dhe diplomatik i Koresë së Veriut, por është irrituar gjithnjë e më shumë me shtetin komunist dhe retorikën e tij të luftës.


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, duke folur në një forum në ishullin Hainan, nuk e përmendi me emër Korenë e Veriut, por tha se asnjë vend nuk duhet të zhysë një rajon të tërë apo të gjithë botën në kaos për përfitime personale.


Stabiliteti në Azi, tha ai, përballet me sfida të reja, ndërsa çështje të nxehta vijojnë të dalin si në kërcënimet e sigurisë tradicionale, ashtu edhe nga ato të rejat, deklaroi ai.


Ministri i Jashtëm i Kinës, Uang Ji, shprehu shqetësime të ngjashme në një deklaratë të dhënë të shtunën pas një bisede telefonike me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.


Ne jemi kundër fjalëve dhe veprimeve provokuese nga çdo palë në rajon dhe nuk lejojmë krijimin e telasheve në derën tonë, tha Uang, sipas deklaratës së ministrisë.


Të dielën, ministria shprehu shqetësime të mëdha nga rritja e tensioneve dhe tha se Kina i ka kërkuar Koresë së Veriut të garantojë sigurinë e diplomatëve kinezë në Korenë e Veriut, në përputhje me Konventën e Vjenës dhe ligjeve e normave ndërkombëtare.


Kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, duke folur në forum, tha se shmangia e konfliktit në gadishull është jetësor. Atje, çdo agresion përbën kërcënim për interesat e çdo vendi në rajon, tha ajo.


Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, tha se ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut duhet të merren seriozisht.


Ai shtoi se përgjigjja ndërkombëtare duhet të jetë shumë e qartë, e bashkuar dhe e qetë përgjatë të gjithë kohës, për shkak se është e rëndësishme që të mos ushqehet retorika frenetike që kemi parë gjatë javëve të fundit.


Zvicra shprehu gatishmërinë për të ndërmjetësuar mes palëve. Kim është i treti në dinastinë e familjes së tij që sundon Korenë e Veriut. Ai mendohet se ka kaluar disa javë në Zvicër për arsimim me një pseudonim. Ai mori pushtetin në dhjetor 2011 pas vdekjes së të atit të tij, Kim Jong-il.


Një zyrtar i mbrojtjes në Uashington, njoftoi se një test i planifikuar prej kohësh për lëshimin e raketës ndërkontinentale Minuteman III, do të shtyhet për më vonë. Raketa pritej të nisej nga Kalifornia.


Ky test… është shtyrë për më vonë për të shmangur keqinterpretimet apo keqllogaritjet si pasojë e tensioneve të kohëve të fundit në gadishullin e Koresë.


Ai tha se testi nuk kishte lidhje në asnjë mënyrë me Korenë e Veriut dhe shtoi se një test tjetër është planifikuar për muajin e ardhshëm. Shtetet e Bashkuara mbeten tërësisht të përgatitur për tiu përgjigjur çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut, tha zyrtari.


Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut tha se vendi është tërësisht i përgatitur ushtarakisht për çdo problem. Jugu e konsideron një sjellje të planifikuar retorikën e kohëve të fundit nga veriu.


Kina kërcënon Korenë e Veriut burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP
Abonohuni me Email