Aksesi në “New York Times” u bllokua ne Kinë, pasi e përditshmja amerikane publikoi një hetim mbi pasurinë e madhe të grumbulluar nga të afërm të kryeministrit Wen Jiabao.


E përditshmja deklaroi se fillimisht një sulm hakerash bllokoi hyrjen në seksionin e gazetës në gjuhën kineze, përpara se aksesi i saj në vendin më të populluar të botës të bllokohej plotësisht.


Referencat mbi artikullin u bllokuan edhe në faqet e tjera që përcjellin lajmin duke iu referuar “New York Times”-it.


Në raport, gazeta amerikane shkruan se duke përfituar nga pushteti, familja e Wen ka arritur të grumbullojë 2,7 miliardë dollarë.


Në artikullin kritik, “New York Times” informoi se qeveria, ashtu si edhe të afërmit e Wen, kanë refuzuar që të komentojnë mbi hetimet, të cilat bazohen mbi të dhënat e koorporatave të ndryshme gjatë dy dekadave të fundit.