Kanë kaluar vetëm pak javë që kur Kina ndërmori tranzicionin e saj të udhëheqjes që ndodh një herë në dekadë, por pritshmëria për ndryshim është në rritje. Kur bëhet fjalë për ekonominë e ngadalësuar, apo për përmirësimin e sistemit ligjor të Kinës dhe pakësimin korrupsionit në qeveri, interesi publik për "reformë" është në rritje.

Po të shfletosh një gazetë në Kinë apo të klikosh në një faqe interneti në gjuhën kineze, diskutimet për reforma gjenden lehtë. Jin Can-rong, profesor i shkencave politike në Universitetin Renmin të Pekinit, thotë se propozimet për reforma po tërheqin vëmendje.

“Megjithëse të gjithë shpresojnë për reforma, se çfarë do të thotë kjo në mendjet e tyre është e paqartë. Për shembull, reforma që mendoj unë është ndryshe nga ajo që mendon ti dhe në mendjet e 100 njerëzve mund të ketë ide të tjera për reformat. Për këtë arsye, fjala reformë është një temë e nxehtë tani për tani”, tha ai.

Disa propozime bëjnë thirrje për ndryshime të qarta dhe në disa raste radikale. Këto ditë, disa gazeta në Pekin kishin artikuj për udhëheqësin e ri të Kinës, Wang Qishan dhe një takim të kohëve të fundit, ku u diskutua publikisht zbulimi i pasurive private të zyrtarëve.

Një transparencë e tillë do të ishte e paparë për një qeveri që i kushton shumë kujdes fshehtësisë.