Ferizaj, 18 gusht - Rrethojat me beton, rërë e tela xhemborë të Kishës ortodokse serbe “Shën Uroshi” në Ferizaj, do të hiqen brenda pak ditësh për t’u zëvendësuar me rrethoja të rëndomta.
Kjo nismë e udhëheqjes komunale u tumir të mërkurën nga kleri vendës ortodoks, katolik e mysliman, nga KFOR-i dhe nga policia.
Pas një konsultimi paraprak, drejtuesit e këtyre institucioneve shtetërore, fetare e të sigurisë, e vlerësuan këtë veprim si një moment të shënuar, që dëshmon përmirësimin e klimës së sigurisë dhe vizituan lokalet e Kishës Ortodokse dhe të Xhamisë së Madhe, të cilat në Ferizaj paraqesin një raritet, duke qëndruar ngjitur me njëra-tjetrën.
“është një mundësi dhe pasqyrë më e mirë për të gjithë, një hap drejt komunikimit më të mirë, lëvizjes së lirë. Në Ferizaj realisht as që ka pasur pengesa për lëvizjen e lirë, por si barrierë po fillojmë ta rregullojmë, siç do ta rregullojmë oborrin, ashtu siç i ka hije kësaj kishe edhe Ferizajt”, vlerësoi i pari i Komunës, Bajrush Xhemaili,raporton KosovaLive.
Duke premtuar se Komuna do të sigurojë mjete aq sa ka nevojë për rregullimin e Kishës Ortodokse, Xhemaili i bëri thirrje popullatës që ta çmojë këtë veprim të Komunës dhe të jetë sa më korrekte në komunikim me të gjitha komunitetet.
Heqjen e rrethojave të betonta, e ka vlerësuar si një moment të shënuar edhe udhëheqësi i Kishës Ortodokse Serbe, prifti Zhivojin Kojiq, i cili ka shfaqur shpresën se siguria do të shënojë përparime gjithnjë e më të mëdha.
“Shpresoj se një ditë këtu nuk do të ketë as polici, që njerëzit ta kuptojnë se kisha dhe xhamia janë tempuj të njëjtë. Me këtë shpresë kemi pranuar që të hiqen barrierat mbrojtëse”, tha prifti Kojiq.
Policia do të jetë e pranishme edhe për një kohë në oborrin e Kishës Ortodokse në Ferizaj, megjithëse vlerësohet që gjithnjë e më pak ka nevojë për një gjë të tillë.
“Ne do ta bëjmë sigurimin 24 orësh në këtë objekt, jo pse nuk ka siguri, por kjo gjë është e garantuar me planin e Ahtisaari-t”, thotë major Rashit çalaj, komandant i policisë rajonale.
Nismës për rehabilitimin e Kishës Ortodokse serbe në Ferizaj, i ka dhënë kontribut të posaçëm batalioni grek i KFOR-it i cili ndihmon policinë rreth sigurisë në këtë komunë.
Komandanti i batalionit, Jorgos Chatzitheofanous, tha se trupat e tij do të ndihmojnë me kënaqësi për të rregulluar ambientin rreth kishës.
“Unë sot nuk ndihem si ortodoks, por si punëtor i paqes. Me imamin e xhamisë u morëm vesh që KFOR-i të ndihmojë për rrafshimin e vendit ku në të ardhmen do të ndërtohet një xhami”, u shpreh komandanti i batalionit grek të KFOR-it.
Të gjithë pjesëmarrësit e rehabilitimit të Kishës Ortodokse Serbe, vizituan edhe Xhaminë e Madhe në Ferizaj, në shenjë solidariteti ndërmjet komuniteteve fetare.