FEJA/ Vite punë nga mjeshtrat dibranë për të realizuar një vepër madhore që mbetet sot e kësaj dite

ELBASAN- Kisha e Shën Marisë u ndërtua nga 4 vëllezër dibranë, që punuan shumë kohë për ta përfunduar. Edhe Ikonostasi, një vepër madhore, u ndërtua nga 40 mjeshtra dibranë, të cilët punuan për 10 vjet për ta realizuar. Historia ndodh që përsëritet, pasi edhe në restaurimin e saj ishin ustallarët dibranë që u përzgjodhën nga firma e specializuara për restaurimin e objekteve të vjetra. Një prej tyre, Asllan Kadriu, tregon se kanë qenë stërgjyshërit e tij ata që e kanë ndërtuar kishën dhe se kjo kishë ka një lidhje shumë të fuqishme me historinë. “Kishën Shën Maria e ndërtuan 4 vëllezër dibranë, ndërsa kohë më vonë 40 mjeshtra punuan për ikonostasin. Teksa punojmë këtu ne kemi një tjetër emocion, pasi shohim edhe punën madhështore që ata kanë bërë. Trarët ende të fuqishëm mbaheshin nga qemerët. Ndërtimi ishte i veçantë dhe mjaft i kujdesshëm. Ne po mundohemi të ruajmë të njëjtin stil dhe për këtë po punojmë natë e ditë. Kisha me punën që po bëjmë, do të ketë një çati të fortë dhe skolitë e mbrojtura. Po kështu muret e jashtme po pastrohen dhe meremetohen. Pjesë e gëlqerizuara do të hiqen. Atëherë në vend të çimentos përdorej gëlqerja e vjetëruar dhe këtë e kemi vënë re tek muret. Gjithçka është bërë mjaft me kujdes. Ne shpresojmë që brenda 15 nëntorit të përfundojmë punimet. Fatmirësisht edhe koha po mban e mirë, duke na ndihmuar për punimet”,- thotë Kadriu. Investimi i parë shpëton edhe këtë pasuri madhore të Elbasanit, por nuk mjafton për të sjellë identitetin e saj, pasi kërkohet rikonstruksioni i brendshëm dhe restaurimi i ikonostasit gjigant prej druri, i lyer me ar.


Restaurimi


Restaurimi i Kishës më të vjetër ende në funksion në qytetin e Elbasanit ka bërë të lumtur një komunitet të tërë. Ky objekt që është edhe një prej pasazheve të të huajve kur ndalen në Elbasan, do të ketë një çati të fortë, mure të restauruar duke nxjerrë edhe më tepër në pah vlerat e kësaj kishe mesjetare. Dy shekuj nga rindërtimi, pasi u dogj në shekullin e XVIII, Shën Maria do të jetë sërish jo vetëm një objekt kulti, pasi meshat do të vazhdojnë, por do të ketë edhe një pamje të bukur për të gjithë vizitorët. Përfaqësuesit e kishës thonë se faza e parë ishte domosdoshmëri, ndërsa restaurimi i brendshëm është një kërkesë e kohës, për t’i dhënë vlerat që meriton. Famulltari i kishës, Atë Nikollë Marku, thotë se ishte kërkesa e komunitetit që tërhoqi vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për investimin, pasi rreziku për shembjen e kupolës së sipërme nga lagështira ishte kthyer në shqetësimin më të madh të të gjithëve. Kisha e Shën Marisë është një objekt mesjetaro-bizantin, i ndërtuar i tëri në gurë. Gjatë kohëve të fundit ishte vënë re një rrezik i shembjes së kupolës së sipërme të saj, tavanet dhe muratura. “Shpresojmë që të ketë edhe një fond tjetër për ndërhyrje në ambientet e brendshme që kanë nevojë për restaurim”,- thotë famullitari. “Edhe vetë mjeshtrat që kanë ardhur për të punuar në këtë kishë, kanë vënë re mënyrën dhe materialet me të cilat është ndërtuar me gurë të latuar, por edhe trarët që kanë pasur një jetë të gjatë të mbajtur nga qemerë të fortë”,- shprehet ai. Nga punimet e kryera janë zbuluar edhe gjëra të veçanta, si: kryqet e skalitura në gurë. Këto forma ruajnë vlerat që nga ndërtimi i kishës. “Komuniteti besimtar është i lumturuar për punimet që po kryhen, pasi ky objekt nuk është vetëm përfaqësues i stilit mesjetaro-bizantin, por, mbi të gjitha, i historisë së popullit tonë shqiptar”,- thotë Atë Nikolla, që është edhe një prej kundërshtarëve të theksuar të kryepeshkopit Janullatos. Ai e cilëson kishën “Shën Maria” edhe si një simbol i ortodoksisë autoqefale shqiptare me Fan Nolin e Visarion Xhuvanin.


Historia


Ortodoksizmi në Shqipëri mori jetë që në periudhën1315-1345 në kohën e perandorit Justinian. Në këtë periudhë janë edhe hapat e para të ndërtimit të kultit ortodoks në territorin shqiptar. Kjo kishë në fillimet e ndërtimit të saj daton në shekullin e 14-të në vitit 1486, por shërbesa e parë është bërë në vitin 1556. Në këtë kishë kanë shërbyer nga Fan Noli, Visarion Xhuvani, por edhe priftërinj të tjerë që ishin më poshtë si tituj, por me një shpirt patriotik dhe kombëtar. Vetë Sulltani, pas një kërkese të bërë nga komuniteti brenda Kalasë dhe të Patriarkanës së Stambollit, e cila e mbështeti këtë kërkesë, dha leje që kisha Shën Maria të ndërtohej me kushtin që kambanorja të ishte më e ulët se minarja e xhamisë. Në kohën e sundimit otoman kjo kishë u ruajt dhe nuk u dëmtua. Besimi ortodoks u la të praktikohej dhe qëllimi ishte që mes shqiptarëve të mos kishte përplasje fetare. Ky ishte edhe një element tolerance dhe elbasanasit janë një prej shembujve të kësaj tolerance, pasi këtu bëheshin martesa mes ortodoksëve dhe myslimanëve dhe kjo vazhdoi me shekuj duke e trashëguar bashkëjetesën mes feve ndër vite.