Ky eshte nje udhe-pershkrim i historianit dhe studiuesit te njohur Prof. Puto, bere gati 30 vjet me pare ne Zvicer. Duke hequr pak gjykimin e kohes dhe nje perceptim, qe vinte prej Luftes se Ftohte, kjo eshte nje publicistike, qe ia vlen per ta sjelle per publikun...ne lidhje me kete zhaner. Pershkrimi i mjedisit, menyres se jeteses se viteve '70, nderthurur me nje analiza te paster, e shfaqin autorin dhe si nje rrefimtar te kendshem





Nga Prof. Arben Puto*





Vijon nga numri i shkuar





... Filli i mendimit me nderpritet kur aeroplani hyn ne zbritje. Pershtypja fillestare rrenacake nuk vazhdon shume: ajo qe atje lart dukej si nje pike e palevizshme, nderkaq ka mbuluar qindra kilometra dhe tani ze toke ne aeroportin e Zyrihut. Por vetem per disa caste. Sa per nje nderrim pasagjeresh: disa zbresin ketu, te tjere hyjne per te vazhduar bashke me ne me tutje. Fluturimi per ne Gjeneve perbehet vetem prej dy manovrave te njepasnjeshme: ngjitje dhe menjehere zbritje. Nje udhetim qe me tren behet ne rreth 5 ore, me "busin" ajror shkon jo me shume se 1.2 ore. Edhe lartesia e fluturimit nuk eshte shume e madhe. As ndijimi (sensacioni) i te levizurit ne hapesire nuk eshte me iluzor dhe sa me afer tokes aq me shume te kujton udhetimin ne nje rruge te gjere automobilistike.


Befas ndodhemi mbi nje siperfaqe ujore. Eshte liqeni i Lemanit, ne skajin perendimor te se cilit shtrihet Gjeneva. Nderkaq po bie muzgu qe hedh dalengadale mbi gjithcka nje vello te perhime. Qindra e qindra drita e rrethojne liqenin anembane dhe perpara syve shfaqet nje pamje fantastike: nje kolane gjigande perlash te shndritshme ne gjoksin farfurites te nje hyjnie te perrallave. Me tej perseri drita, nje det dritash shumengjyreshe: eshte qyteti, qe fillon ne te dy anet e liqenit e ngjitet pastaj ne kodrinen perreth; ne sfond Mon-Blani (Mont-Blanc) mbreti i maleve, qe u qendron koheve dhe stineve me bardhesine e tij te perjetshme. Erresira e nates nuk ka rene ende dhe nga lart dallohet levizje e madhe mjetesh dhe njerezish: nje jete mizash perdhese qe merr dalengadale dimensionet reale.





2.


Kujtoja se Gjeneva do te ishte me e madhe. Ne vend marrim vesh se popullsia e saj nuk eshte me shume se 300 mije veta, bashke me lagjet periferike. Por ajo eshte "metropoli" i nje numri te madh organizatash e konferencash nderkombetare. Nje cudi tjeter eshte se Zvicra nuk eshte as anetare e Organizates se Kombeve te Bashkuara. Pas Luftes I-re Boterore ajo pati strehuar ne territorin e vet (ketu ne Gjeneve) Lidhjen e Kombeve dhe popullsia pati vendosur me referendum, me votim te pergjithshem (nje fenomen mjaft i shpeshte ne praktiken konstitucionale zvicerane) pjesemarrjen e rregullt te Zvicres ne radhet e kesaj organizate. Ne vitet '30 aty u ndertua edhe selia e saj "Pallati i Kombeve" (Palais des Nations). Por shpejt Konfederata u tremb nga te ashtuquajturat "sanksione ekonomike" qe Lidhja vendosi me 1935 si "ndeshkim" te Italise fashiste per agresionin e saj kunder Abisinise se pafajshme. Ajo nuk deshi t'i zbatonte as keto masa gjysmake, duke i paraqitur si te papajtueshme me poziten e saj neutrale. Kjo qe edhe arsyeja qe ajo nuk hyri fare ne organizaten e re nderkombetare qe u krijua pas Luftes II ne vend te Lidhjes se Kombeve (OKB).


Gjate qendrimit tone, ne shtyp flitej me insistim se kjo gjendje tani duhej te ndryshonte, se me nje referendum te ri popullsia do te thirrej te aprovonte anetaresine e plote te Zvicres ne OKB nen parullen e pergjithshme: "Neutrale po, por jo indiferente per fatet e njerezimit ne boten e sotme". Sic duket Konfederata e ka kuptuar tanime se nuk do te kete shume probleme me nje organizate, ku detyrimet e anetareve kane marre nje permbajtje fiktive.


Nderkaq kjo nuk e ka penguar Zvicren te strehoje me qindra organizata dhe konferenca nderkombetare. Gjeneva eshte selia e deges evropiane te OKB-se (qe e ka ne Nju Jork qendren e saj kryesore). Vec Pallatit te Kombeve, te cilit pas lufte i jane shtuar pallate te tjera anekse, jane ngritur e ngrihen rreth e rrotull gratacele te tera, te cilat po e mbushin gjithe anen lindore te qytetit, duke e kthyer ne nje lagje te organizatave nderkombetare.


Zakonisht, kur behet fjale per Zvicren, per zhvillimin e saj ekonomik e industrial, per pasurite dhe te ardhurat e saj, mund te degjohen te permenden industria mekanike, ajo e mjeteve te precizonit te larte, farmaceutike, e letres; dhe ne cdo rast ajo e oreve nuk lihet pas dore. Cdo manual informativ do t'i cilesoje keto si shtyllat tradicionale dhe vazhdimisht te perteritura, te ekonomise zvicerane, si burimet kryesore te pasurise kolosale te nje vendi me popullsi 6-milionesh, per me teper me perberje etnike heterogjene. Vete zviceraneve u pelqen te vene ne dukje varferine e plote te vendit te tyre ne lende te para, varferi te cilen e kompenson gjeresisht "le savoir-faire", zgjuarsia e "aftesite krijuese e sajuese" te vecanta te banoreve te ketyre Alpeve.


Me qellim ose jo, ketu behen dy harresa te rendesishme: bankat dhe organizatat nderkombetare.


Sigurisht, bankat jane nje teme mjaft e nderlikuar e delikate dhe me duhet te pranoj se nuk kam as kompetencen me te vogel ne kete ceshtje. Por, nuk duhet ndonje shkence e madhe per te thene se Zvicra eshte vendi par excellence, tipik i bankave dhe zor se ka nje vend tjeter, qofte edhe me te madh, ku te ndihet me shume prania e tyre. Ne cdo kend rruge ne Gjeneve shikon nje filial banke. Kur hyn ne to nepermjet dyerve te xhamta qe hapen perpara teje ne menyre automatike, - pa qene nevoja te thuash as "sesam" si ne perrallen e njohur te "Nje mije e nje net", - kur ndodhesh brenda ne sallat here me te ndricuara e here me te zymta midis blloqeve te renda te mermereve dhe sporteleve transparente, ku tip-tapet ritmike te makinave te shkrimit e llogaritese nuk e prishin dot qetesine e pergjithshme, kridhesh vetvetiu si pa e kuptuar ne nje atmosfere kishtare, gati mistike. Nuk eshte Tempulli i Zotit, nuk ka aty as ungjill, as altare, as rite te ngurosura liturgjike. E megjithate secila prej ketyre sallave eshte nje faltore ku ekzaltohet ne cdo akt, ne cdo hap nje Perendi e madhe: Paraja, qe ka nje force aq te dukshme dhe njekohesisht aq misterioze ne boten kapitaliste. Mund te duket se cdo gje ketu behet prane ketyre banakeve, ne driten e neoneve perpara syve te klienteve, si ne cdo institucion tjeter te sherbimeve publike. Ne te vertete, dihet prej te gjitheve se masa e madhe e operacioneve kryhet prapa ketyre mureve, diku atje lart ne qetesine dhe fshehtesine e drejtorive e te zyrave vartese. Bile fijet e filialet te cojne ne qender, deri ne Zyrih, qe njihet si "kryeqyteti i bankave".


Rreptesia e "sekretit bankar" ne Zvicer eshte po ashtu e njohur, proverbiale. Ajo pershkruhet shpesh si nje shenje e seriozitetit, soliditetit te bankave zvicerane. Ky rregull i pashkruar te cilit i permbahen prej kohesh bankieret zvicerane, u sanksionua me 1934 edhe me nje ligj te vecante. Per rolin qe lot ai ne gjithe jeten e vendit mund te gjykojme nga keto fjale te nje bankieri te Zyrihut: "Sekreti bankar eshte ndoshta simbol i lirise zvicerane. Pa te drejten per sekret nuk ka as liri". Dhe "kursimtaret" vijne ketu nga bota mbare. Mirepo fakte te shumta, qe kane dale ne siperfaqe, tregojne se "sekreti bankar" eshte nje pretekst per te mbuluar origjinen e vertete te parave te medha qe depozitohen ne bankat zvicerane. Tanime eshte e ditur boterisht se si mbreterit e shfronezuar ashtu edhe spekulantet e ndryshem, evazoret e taksave apo bandat e organizuara te industrise se "grabitjes se personave" ne vende te ndryshme gjejne ne kasafortat e bankave zvicerane skutat me te erreta e me te sigurta te "fitimeve te tyre". Keta te fundit perfitojne pikerisht nga sherbimet e bankave te ketushme per te "ricikluar", per te rihedhur ne qarkullim shumat e majme qe u ndukin viktimave. Degjuam te thuhet se "rrembimi i personave" vecanerisht ne Itali, zor se do te kishte ate lulezim qe ka sot, sikur te mos inkurajohej terthorazi prej Zvicre. Nga kjo mund te kuptohet se c'i mbeti reputacionit qe i eshte krijuar Zvicres, si vendi i asnjanesise rigoroze, i rregullave dhe zakoneve solide e te pastra si bora e Alpeve ne frymen e tradites se bukur e te cilter qe njohim nga vepra shileriane. Kur mendon pastaj se ky vend ka me shume banka se sa ndermarrje, dege prodhuese, atehere vetvetiu konkludon se Zvicra e sotme eshte kryesisht nje shtet - saraf me te gjitha tiparet e kesaj figure tipike te ekonomise parazitare. Dhe biseda lidhur me rruget e erreta, prapaskenat e uleta nuk mbaron me kaq, lista do te zgjatej shume po te behej fjale per aktivitetet e shoqerive multinacionale zvicerane qe i shtrijne fijet ne shume vende.


Por te kthehemi tek organizatat nderkombetare, te cilat jane nder artikujt me rentabel per Zvicren, edhe pse se statistikat zyrtare nuk figurojne kurre si zera te vecante. Eshte padyshim nje prove tjeter e "savoir faire"-it zviceran qe nje mori e tere agjencish e institucionesh ndershteterore, me struktura shpesh te renduara e te koklavitura, te krijuara per t'i sherbyer "komunitetit nderkombetar" (qe nga ato te "bamiresise" si Kryqi i Kuq, deri tek ato te shendetesise) Zvicra i ka kthyer ne te mire te saj ne radhe te pare. Nga njera ane Zvicra dhe sidomos Gjeneva, jane bere Meka e diplomateve dhe delegateve te ndryshem qe vijne me shumice nga te gjitha anet dhe rrine aty per periudha te gjata kohe, duke derdhur para te madhe. (Jo me kot Gjeneva eshte sot nje nga qytete me te shtrenjta, ne mos me i shtrenjti ne shkalle boterore). Nga ana tjeter nje pjese e mire e buxheteve te ketyre organizatave mbetet ne toke zvicerane: ketu ndertohen godinat shumekateshe, vendas jane shumica e nepunesve qe marrin rroga te fryra e qe i bien botes anembane si emisare te kesaj apo asaj organizate. Nder te gjithe ata qe sot u pelqen ta quajne veten "qytetare te botes" me siguri nje numer mjaft i madh jane prej ketyre kantoneve: porse kane arsye sepse kjo "bote" ua kthen shumefish sherbimet e tyre.





3.


Po behen disa dite qe jam ne Gjeneve, ku perpiqem te ndjek punimet e Konferences qe organizon prej disa vjetesh OKB-ja per problemet e detit. Kaloj sa ne njeren ne tjetren prej sallave te shumta e luksoze te Pallatit te Kombeve, te cilat jane bere arene e nje lufte te ashper lidhur me pasurite e medha qe fshehin thellesite dhe fundet e deteve e oqeaneve. Shkenca ka zbuluar se keto jane shume here me te medha se ato qe gjenden ne pjesen tokesore te rruzullit, ndaj edhe ka filluar qe tani grindja se kush, cfare, sa do te marre, si do te ndahen keto burime. Me kete mendjen tone, qe ndoshta eshte mesuar me shume me vlerat tokesore, themi se behen edhe mjaft iluzione: ne nje nga dokumentet e panumerta qe qarkullonin ato dite, perspektiva detare paraqitej si alternative e vetme qe i hapej njerezimit per t'i bere balle "bumit demografik", ritmeve te pershpejtuara te rritjes se popullsise boterore. Kapitali po tregon detin si mjet per t'u gjetur zgjidhje plageve te renda sociale. Por do te bente me mire te hidhej aty per vete qe t'i hapej rruga e zgjidhjes se vertete te problemeve te medha qe jane grumbulluar prej kohe.


Sidoqofte nje gje eshte e pamohueshme, se kjo konference e detit, qe po zhvillohet prej disa vjetesh ne sesione te njepasnjeshme, na jep shembullin me te prekshem te luftes se klasave ne shkalle nderkombetare. Nje ballafaqim i madh i dominon punimet qysh prej fillimit te saj nja 6 vjet me pare. Ne njeren ane jane vendet e vegjel, te varfer e te pazhvilluar (qe tani i quajne "ne zhvillim" per te mos i prekur ne dinjitetin e tyre), vende te Amerikes Latine, Afrikes, Azise, qe kerkojne prishjen e ligjit te vjeter "tradicional", te vendosur ne det nga Fuqite dhe zevendesimin e tij me nje ligj te ri, qe t'u jape te drejten ta shfrytezojne me shume per vete detin qe kane prane (bile edhe ate qe eshte me larg brigjeve te tyre). Ne anen tjeter jane vendet e zhvilluara industriale, vendet me "pasanike", ne radhe te pare superfuqite (BS ne kete rast ka bere nje front unik me SHBA dhe shtetet e tjera kapitaliste, haptazi ne syte e te gjitheve me nje pragmatizem te persosur, pa ruajtur as aparencat e "luftes ideologjike") - e pra keto vende duan te ruajne epersine ne shfrytezimin e hapesirave detare te cilen ua siguron epersia e mjeteve teknike;ato kane flota te fuqishme peshkimi dhe nje teknike te perparuar per te vepruar ne thellesi te medha, ndaj duan te kene gjithmone rrugen te hapur jo vetem ne ujerat e veta dhe jo vetem ne ujerat nderkombetare, por edhe ne ujerat bregdetare se te tjereve.


Nuk eshte qellimi im ne keto shenime qe te hyj ne thelb te ketyre problemeve, sepse dua t'i kursej lexuesit bezdine qe shkakton vetvetiu trajtimi i tyre nga nje pikepamje e ngushte profesionale. Do te permend vetem nje episod te vogel, por kuptimplote qe me ka mbetur ne mendje nga debati i zjarrte qe zhvillohej ato dite ne Pallatin e Kombeve. Ne nje moment te caktuar delegati zviceran u ngrit dhe bashkoi zerin me korin e qortimeve qe u shqiptuan me shumice nga ana e te "pasurve" kunder te "varferve" per "tendenca akaparuese" te burimeve ne nje zone te gjere ujore pergjate brigjeve te tyre. Me kujtohet se si me nje ton patetik ai u ankua per fatin e keq te Zvicres qe hynte ne radhen e "vendeve me te defavorizuara nga ana gjeografike" nje shprehje mjaft e kerkuar kjo per te thene se Zvicra nuk ka dalje ne det dhe eshte e rrethuar me male. Mirepo Zvicra ka edhe ajo anijet e saj te peshkimit (te stacionuara diku ne portet e huaja) dhe "nuk eshte e drejte,- tha perfaqesuesi zviceran, - qe te na mohohet e drejta e ushtrimit te profesioneve detare" vetem sepse "gjeografia na ka mbyllur mes malesh". "Edhe tregjet tona duhet te furnizohen me peshk dhe produkte te tjera te detit", shtoi perfaqesuesi i Austrise, fqinje imediate e Zvicres ne kufi dhe ne kushte gati krejt analoge.


Pergjigjen e dha nje nga delegatet e Amerikes Latine dhe atehere debati u gjallerua e freskua dhe me disa nota komike. "Po bej te gjitha sforcot e mundshme, qe te perfytyroj me kete mendjen time nje krize te rende papunesie ne Austri e Zvicer per shkak te inaktivitetit te anijeve te peshkimit, perpiqem te imagjinoj manifestime apo demonstrata proteste te peshkatareve ne Vjene ose Berne apo ne qytete te tjera austriake e zvicerane, por me kot". "Kerkoj ndihmen tuaj, tha ai, mos harroni se peshkimi eshte buka jone e perditshme", dhe tha nje te vertete te padiskutueshme, sepse shume vende te pazhvilluara te kontinentit jug-amerikan e shikojne bregdetin me burimet e tij biologjike si shtyllen kryesore, ne menyre absolute, te ekonomise kombetare. Nga kjo kuptohet edhe prirja e pergjithshme, qe ka zene fill pikerisht ne Ameriken Latine dhe qe eshte perhapur ne nje varg vendesh te pazhvilluara qe kane dalje ne oqean - per te shtrire kontrollin mbi nje zone sa me te gjere te ujerave bregdetare. "Doni peshk? Na i blini neve! C't'i beni anijet e peshkimit? Na i shisni neve", perfundoi nderhyrjen delegati nga Amerika Latine.


Vume re se ne keto konferencat nderkombetare, qe vazhdojne te jene ne nje shkalle te konsiderueshme nje shprehje e diplomacise se vjeter tradicionale - nuk eshte veshtire te korresh aprovime dhe perkrahje verbale. Te gjithe jane gati te cmojne batutat spiritoze; bile edhe kundershtaret ne nje vrull "spontan" "fisnikerie", si xhentelmene te sprovuar, nuk i kursejne qendrimet "simpatizuese" dhe duartrokitjet ne maje te gishterinjve. Ndoshta me keto sjellje tipike te "te madhit" qe duron "capkenlleqet dhe paudhesite e te vegjelve", ata pretendojne te japin mesime miresjelljeje e zemergjeresie. Ne te vertete japin prova te nje ngarkese te pashtershme hipokrizie. Sepse afishojne majtas e djathtas "durim" e "gjakftohtesi" dhe s'lene rast pa permendur "rregullat e fair play-it (te lojes pa hile) ne rrahjen e mendimeve dhe zhvillimin e tratativave ne frymen "demokratike" - ne thelb nuk leshojne vete asnje fije nga pikepamjet dhe kerkesat e tyre, i ndjekin me kembengulje fanatike "interesat" e ngushta egoiste.


Sidoqofte eshte fakt se sot me dyfaqesine behet nje loje e madhe, e kjo ka arritur kulme te pabesueshme. Dokumentet e shume organizatave nderkombetare dhe shtypi jane plot me statistika dhe bilance qe bejne fjale per mjerimin dhe urine neper bote, per dy "polet" e medha te skamjes" qe distancohen gjithnje e me shume. Prej tyre mesojme se sot vendet e pazhvilluara te Afrikes, Azise e Amerikes Latine strehojne 3/4 e popullsise se globit, kurse raporti do te arrije ne 4/5 deri ne fund te shek. XX. Doemos krejt ndryshe shprehet raporti kur behet fjale per te ardhurat, per pasurite. Brenda ketyre 15 vjeteve te fundit prodhimi global i ketyre vendeve kundrejt atij te vendeve te zhvilluara ka rene edhe 50% me shume. Vetem SHBA, qe kane 5.5% te gjithe popullsise, perfshijne gjysmen e burimeve ne bote.... Kjo nuk e ndryshon ate fakt qe sot edhe prapambetja, varferia, mjerimi dhe uria jane nje nga sferat e derdhjes se aktiviteteve te ethshme komerciale te vendeve te zhvilluara, te spekulimeve te pafundme. "Honest Jago thoshte Shekspiri duke ironizuar per personazhin te cilin ai e krijoi per te misheruar pabesine dhe lojen e dyfishte ne epoken mesjetare. Nuk mund te mohohet se qe atehere kjo figure ne fakt ka bere nje rruge te gjate: nga keshtjellat e erreta dhe oborret e mbyllura princore ka dale ne arenat e ndeshjes se interesave te "botes se qyteteruar" te kohes se sotme. Fatalistet e kane shpjegimin ne maje te gjuhes duke iu referuar "natyres njerezore te pandryshueshme". Megjithate thirrjet pesimiste qe vijne nga thellesia e shekujve nuk e kane shuar asnjehere deshiren e njeriut per te ndryshuar per me mire veten dhe boten rrethuese...





Vijon


* Botuar tek Nentori, periodiku kulturor i vitit 1979. Botuar me lejen e autorit, ndersa titulli origjinal eshte i redaksise