Eno Bozdo

Sado e çuditshme të duket, në mënyrë të përmbledhur ky ishte thelbi i përgjigjes së Ramës, në konferencën e shtypit të radhës, ndërsa një gazetar e pyeti për çështjen e djegieve të mandateve dhe hyrjes së deputeteve të PS-së në Parlament: «…ne luajtëm blofin për çështjen e djegies së mandateve, bëmë sikur do t‘i digjnim por nuk i dogjëm… e gjitha ishte një lojë sepse pas datës 6 mars është edhe 7, por edhe 8 marsi». Me pak fjalë, kjo ishte loja e PS për t‘i hedhur hi syve PD….
Nuk mund të kishte përgjigje më të çuditshme sesa kjo e Ramës. M’u duk sikur ai ishte rrethuar nga një shtëllungë amoku, se jetonte në një realitet virtual dhe se nuk kishte aspak njohje mbi c’ka po ndodhte në terren. Për më tepër, se për çfarë loje bëhet fjalë, e se kujt bllofi i referohet z. Rama, vetëm ai mund ta dijë. Në se kjo “grackë” ishte ngritur nga PD apo nga vetë PS për të vetët, edhe kjo ha shumë diskutim.
Në të vërtetë, një përgjigje e tillë mund të thotë dikush, nuk ka përse të tërheqë kaq shumë vëmendjen, aq sa t‘i japë të drejtë artikullshkruesit të komentojë mbi të. Dakord, kjo logjikë është e pranueshme. Por problemi nuk qëndron vetëm te kjo përgjigje, por në thelb tek të gjitha reagimet e z. Rama gjatë përballjes së tij mediatike disa mujore për çështjen e hapjes së kutive.
Ajo që të shqetëson realisht është aftësia e tij, gjithnjë e më e reduktuar për të kuptuar thelbin e problemit, raportin e forcave në fushë, shanset reale për suksesin e aksionit të tij (sepse në thelb kërkesa për hapjen me çdo kusht të kutive është aksion personal i tij, dhe jo i PS), reagimin e ndërkombëtarëve, dëmin që po i shkakton ngadalë (por në mënyrë të sigurt) Shqipërisë dhe imazhit të saj, pa llogaritur faktin që ai e ka futur partinë që kryeson, ndoshta në situatën më kritike që ajo ka njohur ndonjëherë.
Ky dyshim mbi aftësinë gjykuese të z. Rama dhe mbi faktin se ai jeton në një realitet paralel, ka lindur dhunshëm përgjatë një episodi (që ndoshta sot pak mbahet mend) por që tregon shumë mbi trajektoren problematike të z. Rama. Pas kthimit të tij nga Kongresi i Evropianëve Socialistë, z. Rama deklaroi se ai kishte biseduar me liderët socialistë evropiane mbi çështjen e hapjes së kutive dhe kishte marrë aty mbështetje të plotë. Nuk kaluan vetëm disa orë, kur zëdhënësja e Socialistëve Evropianë deklaroi se në fakt, nuk ishte biseduar fare për Shqipërinë (aq më pak për kutitë) dhe se askush nuk kishte mbështetur këtë argument. Ndërsa dëgjoja në radio këtë deklarate të zëdhënëses, nuk arrija të kuptoja arsyen e vërtetë të kësaj gënjeshtre shumë të vockël, e cila do të dilte në shesh në gjitha rastet. Megjithatë, në atë kohë mendova se kjo sjellje ishte pasojë e eksperiencës të mangët politike të z. Rama, dhe se të faktit që ai besonte se mund të luante mediatikisht me çdo gjë, madje edhe me socialistët evropianë, ashtu siç bënte rëndom në Tiranë.
Më tutje, frekuenca e këtyre rasteve u rrit ndjeshëm. Një interpretim aspak korrekt dhe “jashtë realiteti” e pati edhe rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila tregonte shumë qartë cilat ishin hapat që opozita dhe maxhoranca duhet të ndiqnin për zgjidhjen e krizës. Por fillimisht i kërkohej opozitës me forcë që të zinte vendet, që asaj i takonin në Parlament, e që këtu të fillonte përpjekja për një zgjidhje të qëndrueshme.
Fat të ngjashëm pati e rezoluta e Këshillit të Evropës, e cila ripërsëriste pikë për pikë rezolutën e Parlamentit Evropian, vetëm se toni dhe qartësia ishin të rritur ndjeshëm. Nuk kishte më absurditet të shikoje deputetët e PS, të cilët ndërsa lexonin tekstin (thuhet se z. Rama ia shkruan të gjithëve me dorën e tij) të shpreheshin se: “..rezoluta nuk përjashton hapjen e kutive, e pra kutitë duhet të hapen nëpërmjet një hetimi të plotë..”.
Një reagim i tillë me « këmbë aspak ne tokë » kishte kohë që nuk verifikohej politikisht në Shqipëri për çështje të një natyre kaq të rëndësishme. Pas ardhjes së delegacionit të KiE në Shqipëri, përsëri u përdor e njëjta tezë, e ndoshta për ta bërë qëndrim e z. Rama edhe pak me pikant, ky i fundit iu drejtua kryetarit të delegacionit me epitetin “mysafiri turk”, duke tejkaluar caqet limit të korrektësisë politike, e duke rrezikuar edhe ndoshta ndonjë incident.
E përmbledhur me pak fjalë, përtej interpretimit politik fals dhe mediokër të fakteve kokëfortë, një gjë ka të përbashkët z. Rama gjatë gjithë kësaj eksperience politike, që pas zgjedhjeve të qershorit 2009: nuk pranon (më asnjë çmim) të shohë të vërtetën dhe të përllogarisë një aksion politik racional, deklaratat e tij janë shumë më tepër emocionale sesa mund t‘i lejohen liderit të partisë opozitare më të madhe në vend. Këto deklarata janë fitorja e “formës” mbi “përmbajtjen”, ashtu siç ishin tezat e tij gjatë fushatës së fundit elektorale. E për t‘i përkeqësuar gjërat më tej, qartësia e këtyre deklaratave po reduktohet ndjeshëm, gjë që të bën të besosh se në luftën e tij me vetveten, z. Rama ia ka dalë mbanë me sukses të krijojë një realitet virtual, një mjedis ku ai, si një narcisist tipik, nuk pranon tjetër të vërtetë përveç se asaj që i ledhaton psikikën e i përkëdhel sedrën e tij.
Por shqetësimi nuk ka fund: nesër z. Rama mund të bëhet edhe kryeministër i vendit, dhe një sjellje e tillë, ndërsa do të verifikohej në këtë pozicion, mund të sjellë pasoja shumë herë më të dëmshme për vendin, sesa dëmi i sotëm. Ata që rrinë afër tij e kanë kuptuar tashmë këtë problem, çështja shtrohet në do të jenë të aftë t‘i japin një zgjidhje përfundimtare.