Jonida Tashi



Shpallet zyrtarisht rregullorja e zhvillimit të provimeve të Lirimit për klasat e nënta në të gjithë vendin. Ministria e Arsimit ka publikuar dje zyrtarisht rregulloren e provimeve të lirimit, për vitin 2010, mbi bazën e së cilës do të procedohet për përgatitjen, zhvillimin, vlerësimin e provimeve të Lirimit, që janë: Gjuhë amtare dhe Matematikë. Rregullorja përcakton rregullat e zhvillimit të provimeve të Lirimit, institucionet shtetërore dhe strukturat arsimore përgjegjëse për këtë proces. Sipas rregullores, provimet do të jepen vetëm me shkrim në një ditë të caktuar. Nxënësi që nuk arrin t’i marri Provimet e Lirimit gjatë sesionit të parë ka të drejtë t’i rijapë ato në sesionin e dytë. Datat e provimeve të Lirimit për sesionin e parë dhe të dytë do të shpallen me udhëzim të veçantë të MASH-it.

Testet

Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve do të bëhet me procesverbal. Sipas rregullores, materialet e provimit do të tërhiqen në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), një ditë para zhvillimit të çdo provimi, nga dy persona që janë: përfaqësuesi i autorizuar me shkrim nga kryetari i Komisionit të Provimeve të Lirimit (KPL), të DAR/ZA-së dhe një person i autorizuar nga MASH, sipas grafikut të shpërndarjes të dërguar nga MASH. Personat e autorizuar do të mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e tyre deri në dorëzimin tek kryetari i KPL-së së DAR/ZA-së. Ky i fundit, pas marrjes në dorëzim të materialeve të provimit, i ruan ato në një vend të sigurt dhe mban përgjegjësi individuale, ligjore, institucionale, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Më pas, materialet e provimit do të tërhiqen me procesverbal në KPL-në e DAR-it dhe ZA-së nga përgjegjësi i administrimit të provimit (PAP), në prani të përfaqësuesit të KPL-së së DAR/ZA-së që do ta shoqërojë atë, në mëngjesin e ditës së provimit, vetëm 2 orë para fillimit të provimit (për zonat urbane). Këtu do të merret edhe lista e nxënësve që do të futen në provim në këtë mjedis, me numrat përkatës të listës së regjistrimit. Në zonat rurale koha e shpërndarjes së materialeve të provimit do të jetë në varësi të largësisë së mjedisit të provimit nga DAR-ja dhe ZA-ja. Përgjegjësi i administrimit të provimit (PAP), pas shpërndarjes së testeve te çdo administrator provimi (AP), testet e ngelura (të papërdorura) duhet t’i fut në zarf dhe t’i mbyll. Këto teste duhet të qëndrojnë në një vend tjetër të sigurt në shkollë deri në përfundim të provimit. Pas përfundimit të provimit, administratori i provimit i dorëzon me procesverbal përgjegjësit të administrimit të provimit testet e plotësuara nga çdo nxënës. Përgjegjësi i administrimit të provimit testet e grumbulluara, testet e papërdorura dhe të gjitha materialet e tjera të provimit, përfshirë edhe listën me emrat dhe numrat e regjistrimit të nxënësve, i mbyll në kuti në kushtet e sigurisë në prani të përfaqësuesit të KPL-së së DAR/ZA-së, dhe administratorit/ëve të provimit. Pas përfundimit të vlerësimit të testeve dhe pasi bëhet informatizimi i rezultateve të nxënësve nga zyra e statistikës e DAR/ZA-së, kutitë me testet e nxënësve të vlerësuara si dhe materiale të tjera të provimit, arshivohen në DAR/ZA dhe ruhen deri në 6 muaj nga data e zhvillimit të provimit.

Vlerësimi

Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë të cilat do të ekuivalentohen në notë. Ndërkaq, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AVA do t’i dërgojë KPL-së së DAR/ZA-së skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Për këtë, KPL do të përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre. Testet e provimeve të Lirimit do të korrigjohen nga vlerësues të jashtëm. Numri këtyre vlerësuesve do të jetë në varësi të numrit të testeve që do të korrigjojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Për këtë arsye, KPL-ja e DAR/ZA-së, pas çdo provimi, do të dërgojë skemën e vlerësimit në Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit (KSHPL), i cili është i detyruar ta afishojë dhe informojë çdo nxënës për të. Ndërsa përsa i përket mjediseve se ku do të korrigjohen testet, në rregullore përcaktohet se vlerësimi i tyre do të realizohet në vende që përzgjidhen nga DAR/ZA-të, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test do të vlerësohet nga dy vlerësues dhe secili prej tyre duhet të firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. DAR/ZA-ja ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Shpallja e rezultateve bëhet jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi.









Institucionet përgjegjëse për zhvillimin e provimeve të Lirimit

Autoriteti shtetëror përgjegjës për zhvillimin e provimeve të Lirimit është Ministria e Arsimit, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe drejtoritë arsimore rajonale ose zyrat arsimore (DAR/ZA).

AVA, lidhur me zhvillimin e provimeve kryen detyrat e mëposhtme:

Harton teste të standardizuara

Trajnon anëtarët e komisioneve të provimeve të DAR/ZA-ve që merren me informatizimin e të dhënave, punonjësit e DAR/ZA-ve që do të merren me përpunimin statistikor të rezultateve të vlerësimit, si dhe individë të tjerë, të përfshirë në zhvillimin e provimeve

Shumëfishon të gjitha materialet e provimeve

Kryen paketimin e materialeve të provimeve të Lirimit

Harton grafikun e shpërndarjes dhe grumbullimit të materialeve të provimeve

Harton dhe dërgon në DAR/ZA udhëzuesit për trajnimin prej tyre të vlerësuesve të jashtëm të testeve si edhe administratorëve të provimeve

Përgatit raportin publik mbi arritjet e nxënësve në Provimet e Lirimit







Detyrat e Komisionit Shkollor të Provimeve të Lirimit

Komisioni Shkollor i Provimeve të Lirimit ngrihet deri më 20 mars 2010 dhe përbëhet nga 3-5 anëtarë, në varësi të numrit të nxënësve të klasës së nëntë të çdo shkolle. Kryetari i këtij komisioni është drejtori i shkollës. Anëtarët e tjerë janë mësues të shkollës. Në këtë komision përfshihet edhe një nga zëvendësdrejtorët e shkollës, nëse ka të tillë. Komisioni Shkollor i Provimeve të Lirimit kryen këto detyra:

Afishon në mjediset e shkollës të gjitha dokumentet dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e provimeve

Shpall listën e mjediseve ku do të zhvillohen provimet Informon me shkrim çdo nxënës për mjedisin ku do të zhvillohen provimet

Organizon dhe rregullon mjediset/sallat e provimeve pesë ditë përpara datës së çdo provimi të Lirimit

Informon KPL-në në DAR/ZA për numrin e individëve që nevojiten për administrimin dhe sekretimin e Provimeve të Lirimit, në përputhje me mjediset e caktuara nga KPL-ja e DAR-it dhe ZA-së

Plotëson dhe jep Dëftesën e Lirimit







23 Shkurt 2010