Nga Dr. Isidor Koti


Duke qenë se kauza ime është paqja, me përulësi u drejtohem atyre që i kam lënduar që të pranojnë ndjesën. Paqja, përulësia, ndjesakëto tri fjalë brenda një fjalie të mbushur me pendesë hyjnore brenda një qëndrimi personal të nxituar njerëzor përmbledhin kapitullin e mbyllur të një historie që kaloi mes zhurmës së zgjatur të shantazhit dhe shpifjeve ndaj një kleriku të thjesht korçar dhe njëkohësisht shërbesëtar i nderuar në komunitetin orthodhodoks të zonës e me gjerë. Mjaftoi një koment minor sportiv në Facebook që u interpretua mediatikisht si fyerje publike, për të nxjerrë në pah vrerin dhe mllefin e masave të gjera e të painformuara ndaj një prifti, ose më saktë ndaj figurës së klerikut, i cili në vend që të respektohet për statusin që mban dhe misionin e sakrificën që kryen në shërbim të Perëndisë dhe të njerëzve, shpeshherë përçudnohet nga barbaria e komenteve kolektive negative.


Megjithëse nën trysninë e vazhdueshme të paragjykimeve dhe fyerjeve, megjithë vështirësitë e shumta sociale e ekonomike, figura e klerit orthodhoks në Shqipëri mbetet një shembull për tu respektuar dhe një model për tu ndjekur. Ky është një konkluzion aspak i nxituar, i gatshëm për tu argumentuar, nisur nga dy faktorë: roli dhe misioni. Pavarësisht prejardhjes dhe formimit, kleri përbën figurën qëndrore jo vetëm brenda institucionit kishtar që përfaqëson, por edhe në transmetimin e mesazhit hyjnor në çdo vend që shkel. Shumë vepra e veprimtari misionare në jetën sociale shqiptare janë kryer me ndihmën e klerit, me lutjet shpirtërore dhe angazhimin e tij praktik. Nëse ndiqen me objektivitet lajmet kishtare, do shikohet se në shumë familje të varfra, tek shtresat në nevojë, tek të sëmurët dhe të vobektët, tek jetimët dhe të pastrehët, ndër të parët që trokasin janë klerikët. Por pak syresh iu intereson ky fakt, mediat tregohen indiferente për të transmetuar lajmin dhe shembullin e mirë. Sepse lajmi i keq përbën tamam lajm!  Një parim mediatik që ske çfarë ti bësh, sepse kështu është ndërtuar.


Pra, lajm nuk quhet kur Kisha, kleri dhe faktorët e tjerë institucionalë kishtarë kryejnë dhjetra e qindra vepra e veprimtari domethënëse e të ndjeshme për shoqërinë. Lajm quhet kur ka devijime që ngacmojnë fantazinë e paragjykuesve, kur kënaqen preferencat mediatike në nivelin e show-t. E gjithë kjo për ca klikime më shumë, ose siç thotë populli shto ujë, e shto miell që të bëhet kulaçi.  Sa e vështirë të përshkruhet vetmohimi dhe sa e thjesht të mohohet e shpërfillet sakrifica! Por kjo mund të ndodhë vetëm në sytë e njerëzve të thjesht e të painformuar, por jo në sytë e Zotit që vepron në kohën dhe në mënyrën e duhur, me të drejtët e të padrejtët.  Në fakt kohët kanë ndryshuar shumë, edhe njerëzit, por jo figura dhe misioni i Kishës dhe i klerit të saj. Mes realitetit objektiv që mediatikisht mungon dhe qëndrimeve të panumërta subjektive që shfaqen pa masë, në fund mbetet e vërteta.


E nëse do ti kthehemi edhe njëherë historisë së klerikut dhe komentit të tij personal sportiv që bëri aq shumë bujë në opinionin publik, e vërteta është që në fund mbetën tri fjalë: paqja, përulësia dhe ndjesa. Po opnionit publik çfarë i mbetet? Së paku, të mësojë diçka nga kjo e vërtetë