Kur zihen dy vetë, fiton një i tretë. Shprehja konkretizohet në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndërsa dy pretendentët demokratë grinden me njëri-tjetrin, fiton republikani Xhon MekKejn. Ndërkohë që Hillari Klinton dhe Barak Obama, shkëmbejnë akuza reciproke dhe "i ngulin njëri-tjetrit thika pas shpine", senatori i Arizonës, që matematikisht ka fituar nominimin republikan, përfiton për të ngjitur shkallë në sondazhe. Sondazhet e fundit tregojnë se nëse përballja elektorale e nëntorit do të zhvillohej sot, fitorja do t‘i shkonte pikërisht kandidatit republikan: Në bazë të të dhënave të mbledhura me telefon nga instituti i specializuar në sondazhe, "Zogby", në një përballje hipotetike me Hillari Klintonin do të fitonte 45 për qind të votave kundër 39 për qind të rivales së tij, ndërsa do ta mundte Obamën me 44 kundrejt 39 përqindësh. Edhe nëse do të merreshin në konsideratë rezultatet në shtete të veçanta, MekKejn do të kryesonte kundrejt sfidantëve demokratë edhe në terrenet më të vështira. Në një linjë me sondazhet e kryera javën e shkuar në shtetet me peshë të madhe në sfidën për Shtëpinë e Bardhë, si Miçigani apo Pensilvania, senatori i Arizonës, konfirmohet si favorit edhe në frontet e rëndësishme si Ohajo dhe Florida: në një anketim të "Rassmussen", të publikuar dy ditë më parë, në Florida, MekKejn kryeson me 47 për qind kundrejt Obamës me 43 për qind. Ndërsa ka një diferencë prej 7 për qindësh me Klintonin, respektivisht 47 me 40 për qind. Në Ohajo, distanca mes senatorit dhe dy rivalëve është e ngjashme: MekKejn udhëheq me 46 për qind të preferencave mbi të dy sfidantët që nuk e kapërcejnë kuotën prej 40 përqindësh. E nëse Kalifornia, Nju Jorku dhe Konektikati konfirmohen bastione të demokratëve dhe Arkansasi vlerëson ish-Zonjën e Parë në kujtim të punës së bërë nga Bill Klintoni si guvernator dhe Prokuror i Përgjithshëm i Shtetit, sondazhet anojnë në favor të kandidatëve republikanë edhe në ato shtete që tradicionalisht nuk kanë qenë të renditura si përkrahëse të tyre. Në Pensilvani, MekKejn është në avantazh ndaj Klintonit me 48 kundër 42 për qind të preferencave ndërsa me Obamën raporti është 47 me 44 për qind. Ky rezultat i fundit është bërë i ditur nga një sondazh i "Strategic Vision" ndërsa "Rassmussen" flet për një përballje më të fortë me senatorin e Arizonës në kuotën 46 për qind dhe Klintonit me 44 për qind të elektoratit. Sërish në avantazh edhe kundrejt senatorit nga Çikago, 46 me 43 për qind. Përqindje të ngjashme edhe në Miçigan, ku MekKejn kryeson si ndaj Obamës, ashtu edhe ndaj Klintonit, respektivisht 44 me 41 për qind dhe 46 me 43 për qind. Në zgjedhjet e mëparshme, të vitit 2000 dhe 2004, të dyja shtetet kishin votuar për Al Gorin dhe Xhon Kerrin. E nëse përveç afirmimit në shtetet e jugut dhe perëndimit që tradicionalisht kanë qenë në duart e republikanëve, Xhon MekKejn do të jetë realisht në gjendje të shembë barrierat edhe në shtete si Miçigani apo Pensilvania, atëherë marrja e Presidencës mund të jetë shumë më tepër se sa thjeshtë një hipotezë.