Nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim. Projektvendimi,  i përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është prezantuar nga ministri Klosi në një takim me grupet e interesit pikërisht në Ditën pa Makina.


Ministri Klosi sqaroi se projektvendimi nuk prek makinat e përdorura mbi  10 vjet prodhim që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019.  Ndërsa për makinat e patarguara që janë aktualisht në Shqipëri do të lihet një afat 5 mujor që të regjistrohen.


Duke iu referuar pasojave negative të përdorimit të makinave mbi 10 vjet prodhim  që e shtynë administratën e mjedisit në përgatitjen e këtij projektvendimi,  ministri Klosi  përmendi dëmet në shëndetin e njerëzve, në mjedis dhe ekonominë e çdo qytetari të shtresës së mesme. Ka ardhur koha që të vihen disa rregulla të cilat sigurojnë  3 gjëra shumë të mëdha; e para shëndetin e qytetarëve, e dyta të sigurohen njerëzit që të mos manipulohen për të konsumuar të ardhurat e tyre të kufizuara për të shkuar drejt një sistemi i cili i gënjen dhe i manipulon dhe e treta për të krijuar në Shqipëri një ambient të pastër, një destinacion të vërtetë për njerëzit që duan ta vizitojnë nga pikëpamja turistike.


Ministri Klosi tha se kjo është një politikë që do të krijojë standarde të vërteta në tregun e makinave duke e renditur Shqipërinë në krah të vendeve që prej vitesh kanë këtë kufizim dhe duke shmangur njëherë e mirë edhe futjen e makinave në Shqipëri për skrap.  Ka kufizim Kosova prej disa vitesh për të mos futur makina më të vjetra se 10 vjet, kanë po të njëjtin kufizim të gjitha vendet e rajonit.- tha ministri Klosi, duke shtuar se mosha mesatare e makinave në vendin tonë është 20 vjet, kohë kur makinat përfundojnë për skrap duke shtuar kështu pikat e grumbullimit të skrapit,. Për këto të fundit ministri Klosi tha se duhen rregulla që të mos ndotin mjedisin dhe shkatërrojnë peizazhin


Për argumentin ekonomik ministri Klosi tha se shpenzimet e mirëmbajtjes për një makinë mbi 10 vjet prodhim plus karburant shkojnë po aq sa edhe vetë çmimi i kësaj makine, që në harkun kohor të dy viteve nuk do të jetë më e tregtueshme por do të përfundojë për skrap. Në qoftë se një qytetar kërkon të blejë një makinë, me ato pak lek që ka, të mos blejë një makinë me emër të madh që ka bërë 200  mijë km, që konsumon karburant 5 herë më shumë, që për dy vjet e çon për skrap,  por të përpiqet të ketë një makinë të normave me kapacitet më të vogël, me po ato para që ta mbajë 7-8 vjet, të konsumojë çdo ditë 1 të tretën e karburanti dhe në fund  atë makinë edhe e tregton. - tha ministri Klosi duke përsëritur se kjo politikë shkon në favor të qytetarëve të thjeshtë.


Në këtë këndvështrim ministri Klosi tërhoqi vërejtjen edhe koncesionarëve të makinave duke kërkuar prej tyre që të orientojnë tregun me makina më të përshtatshme edhe në çmim, për qytetarët e thjeshtë.


 


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)