Autori i Lajmit: red.
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, shprehu shqetësimin e PS-së, "në lidhje me paaftësinë e administratës publike për të mbrojtur qytetarët, për të luftuar korrupsionin si dhe trafiqet në vend". Sipas tij, “këtë fakt e kanë konstatuar qytetarët shqiptarë si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që monitorojnë zhvillimet demokratike në Shqipëri”. Duke iu referuar një raporti të FMN-sç, Klosi tha se “vendi vazhdon të renditet shumë ulët në nivelin e zbatimit të Ligjit dhe Rendit, duke qenë 10 pikë më ulët se vendet me të ardhura të pakta”. “Këtë fakt e kanë konstatuar dhe e prekin çdo ditë qytetarët shqiptarë, që në jetën e tyre të përditshme u duhet të përballen me të gjitha format e mundshme të korrupsionit qeveritar, por e kanë konstatuar dhe vazhdojnë ta konstatojnë vazhdimisht edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që monitorojnë zhvillimet demokratike në Shqipëri. Rasti më i fundit është raporti i FMN-së. Sipas këtij raporti, vendi vazhdon të renditet shumë ulët në nivelin e zbatimit të ”Ligjit dhe Rendit”. Është 10 pikë më ulët se vendet me të ardhura të pakta, 20 pikë më ulët se mesatarja e gjithë vendeve të botës, dhe është gati sa gjysma e vendeve, që janë bërë anëtare të BE tani së fundmi apo shumë më keq se Kroacia, vend që kërkon të hyjë në BE. Madje, vendi ynë renditet edhe më keq se Azerbajxhani, se Moldavia, se Kazakistani, se Bjellorusia, apo se Serbia. Ndërkohë në vend janë rikthyer vrasjet me snajper, silenciator dhe me maska. Bima që mbjellin më shumë shqiptarët mbetet hashashi dhe shteti ka zona ku akoma nuk arrin të jetë prezent”.

Ky lajm është publikuar: 28/08/2008