Pikërisht në ditën kur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksonte se zonat e mbrojtura duhet të jenë laboratorët natyrorë të shkollave dhe se në Ditët e Pemëve, gjimnazistët e Qemal Stafës, konkretizuan me veprime kuptimin dhe qëllimin e këtij mesazhi.


150 fidanë pishe u mbollën nga 40 nxënës, bashkë me mësueset e tyre dhe stafin e Parkut Kombëtar Divjakë Karavasta duke shënuar kështu edhe parcelën e parë të një gjimnazi që tashmë mban emrin Qemal Stafa.


Të rinjtë i janë bashkuar fushatës së mbjelljeve #krijoO2tënd duke vijuar edhe një traditë përkujdesi ndaj mjedisit që ky gjimnaz tashmë e mbart në historinë e tij të re dhe të vjetër.


Njohuritë për lagunën e Karavastasë dhe një shëtitje në bukuritë që ofron natyra ishin njëherësh një orë mjedisore dhe argëtuese për të rinjtë. Ata panë nga afër dy pelikanët kacurrelë, qendrën e vizitorëve dhe në kullën e vrojtimit shquan me teleskop ishullin e pelikanëve


Drejtori i parkut, Ardian Koçi, thotë se mbjelljet e kryera nga nxënësit kanë një rëndësi të veçantë sepse ato janë edukim dhe praktikë në terren.


Tashmë gjimnazi Qemal Stafa ka parcelën e vet në Divjakë-Karavasta.. I mbetet vetëm të vazhdojë kontributin e tij për krijimin e kësaj tradite pyllëzimi.


Gazeta Shqip