Pas Kristi Vangjelit, i cili mbajti veshur për shumë vite fanellën e Aris në Superligën greke një tjetër futbollist i kombëtares shqiptare mund të bëhet pjesë e klubit selanikas. Sipas asaj që raportojnë mediat greke dhe më konkretisht novasports.gr, Armando Sadiku po ndiqet me vëmendje nga klubi i sapongjitur në elitën e futbollit helen.


Drejtuesit e Aris kërkojnë të përforcojnë skuadrën me një sulmues cilësor në këtë merkato për të përballuar me sukses kampionatin grek dhe sipas tyre Sadiku ka profilin e duhur për të mbajtur mbi shpatulla peshën e sulmit të skuadrës.


Në të shkuarën për Sadikun është interesuar edhe Panathinaikos por marrëveshja nuk u konkretizua. Lojtari i përfaqësues kuqezi me shumë gjasa do të largohet nga Levante në këtë merkato, por problemi për Arisin qëndron te fakti se në drejtim të 27-vjeçarit nga Cërriku kanë mbërritur një sërë ofertash dhe në pole-position për momentin për të marrë shërbimet e Sadikut qëndron skuadra e Superligës turke Rizespor.


Mbetet për tu parë se çfarë do të vendosë Sadiku për të ardhmen e tij por Aris është një opsion i shkëlqyer.


Ndërkohë brenda kësaj jave tek Aris pritet të firmosë edhe mesfushori kuqezi Migjen Basha, i cili pas disa viteve karrierë do ti japë lamtumirën futbollit italian për një ligë më të ulët për nga rëndësia.


19 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)