Ish-kapiteni i kombëtares angleze të futbollit, David Beckham, i kërkoi pronarëve të Paris SG që të investojnë për skuadrën që ai po regjistron në Kampionatin Amerikan të Futbollit, me qendër në Majemi.



Lajmi u publikua të hënën në faqet e së përditshmes franceze "Le Parisien". 38-vjeçari Beckham mbylli karrierën e tij në Europë në radhët e Paris SG dhe që prej atëherë ruan një marrëdhënie të mirë me sheikun Nasser Al Khelaifi, president i parizienëce. "Duke përfituar nga relatat e ngrohta me Al Khelaifin, Beckham i kërkoi Qatar Sports Investments që të investojë në projektin e Majemit", shkruhej nga gazeta. Kërkesa e "Spice Boy" nuk ka marrë ende përgjigje. Aktualisht, Beckham është në kërkim të investitorëve për të ndërtuar një stadium të ri në Majemi. Ish-kapiteni i kombëtares angleze pagoi nga xhepi i tij 25 milionë dollarë për të marrë liçensën për krijimin e një klubi futbolli në Majemi dhe në krijimin e skuadrës do të ketë bashkëfinancues yllin e NBA-së, LeBron James. / Top Channel