Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që gjatë dhjetë ditëve të ardhshme të ratifikohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Por, partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK) thonë se kjo gjë nuk mund të ndodhë, pasi që, siç thonë ata, duhet një konsensus më i gjerë për t'i siguruar votat e nevojshme.

Kërkesa e presidentit Hashim Thaçi, që marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të ratifikohet në Kuvend në dhjetë ditët e ardhshme, është hedhur poshtë nga partnerët e koalicionit qeverisës.

Sipas përfaqësuesve të koalicionit, kjo çështje nuk mund të bëhet gjatës javës së ardhshme, pasi sipas tyre, ka mospajtime edhe brenda këtyre dy partive (PDK-LDK) dhe se duhet të arrihet një konsensus për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim, shkruan "Zeri".

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar ditë më parë se kjo marrëveshje do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës brenda 10 ditëve të ardhshme, pasi, sipas tij, Kosova mund të vonohet në procese të rëndësishme, duke aluduar kështu për procesin e liberalizimit të vizave që nga ana e Komisioni Evropian është kushtëzuar me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.