Eljona Ballhysa

Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme kapitullin për ankimimet në Kodin Zgjedhor. Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, bëri të ditur pas mbledhjes së është lënë në fuqi mënyra e ankimimit në Kolegjin Zgjedhor, ndërkohë që i gjithë kapitulli ka në përbërje 30 nene. “Patëm diskutime për këtë çështje dhe vendosëm që të ruhet gjykimi me Kolegj Zgjedhor”, - është shprehur Xhafaj. Sipas tij, në Kodin e ri parashikohen kritere të reja, më të forta, për shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme, si dhe për përsëritjen e tyre. Xhafaj më tej sqaroi se drafti ligjor i zgjedhjeve është drejt përfundimit dhe se ka mbetur për t’u miratuar vetëm kapitulli i sanksioneve, para se t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Sipas tij, do të zhvillohet dhe një mbledhje e fundit e Komisionit të posaçëm Parlamentar, ndërkohë që drafti pritet të miratohet ditën e enjte në seancë parlamentare. Gjatë mbledhjes së djeshme deputeti i LSI-së, anëtar i Komisionit, Spartak Braho, ka ironizuar bashkëpunimin midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për Kodin Zgjedhor, ndërsa ka shprehur qëndrimin e LSI-së kundër këtij drafti, duke e cilësuar atë antikushtetues.

Ankimimi

Sipas draftit, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të ankohet në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-ve ose të KZQV-ve, që cenojnë interesat e tyre të ligjshme, brenda tri ditëve nga data e shpalljes së vendimit. KQZ-ja përgatit dhe vë në dispozicion formularin tip të kërkesës ankimore, në bazë të të cilit hartohet ankimi zgjedhor. Subjekti zgjedhor ankues duhet të depozitojë së bashku me ankimin edhe vendimin e plotë, ndaj të cilit ushtron ankimin. KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore. Pasi merr kërkesën për ankimim KQZ-ja bën verifikimin paraprak të kërkesës ankimore dhe vendos kalimin e kërkesës për shqyrtim; mospranimin e kërkesës për shkak të mungesës së elementeve ose kthimin e kërkesës për plotësim të elementeve të formës. Në shqyrtimin e ankimit nga KQZ-ja kanë të drejtë të marrin pjesë, duke paraqitur kërkesa, duke ngritur pretendime, si dhe duke paraqitur prova vetëm ankuesi dhe pala e interesuar. Palë e interesuar është çdo subjekt zgjedhor, të drejtat dhe interesat e ligjshme të të cilit, qofshin këta individualë ose të përbashkët, preken a kanë të ngjarë të preken nga vendimi që mund të jepet në përfundim të procedurës administrative. KQZ-ja fton palët të paraqesin pretendimet e tyre dhe të japin shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në ankim si dhe të tregojnë faktet dhe provat mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve, KQZ-ja, me kërkesë të secilës prej tyre, mund të vendosë marrjen e provave të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të gjykimit. KQZ-ja u kërkon organeve të administratës publike të vënë në dispozicion informacione, dokumente ose çdo provë tjetër që kërkohet ose çmohet e nevojshme për hetimin administrativ. Organet e administratës publike janë të detyruara të vënë në dispozicion provat. Për nevojat e hetimit administrativ, KQZ-ja me kërkesë të palëve, ka të drejtë të këqyrë dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore. KQZ-ja me kërkesë të palëve, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi i votave, kryen në praninë e palëve rinumërimin e votave. Në përfundim të shqyrtimit të ankimimit KQZ-ja vendos sipas rastit, pushimin e shqyrtimit; lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së ose KZQV-së; ndryshimin e vendimit të KZAZ-së ose KZQV-së; shpall zgjedhje të pavlefshme në një ose disa QV të njësisë zgjedhore, ose në të gjithë njësinë zgjedhore. Në rast se kërkesa ankimore kundër vendimit të KZAZ-së ose KZQV-së për rezultatin e zgjedhjeve nuk merr të paktën 5 vota pro të anëtarëve të KQZ-së, atëherë kërkesa ankimore quhet e rrëzuar dhe ankuesit i lind e drejta e ankimit në Kolegjin Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm.





11 Nentor 2008