Ka tashmë 3 vjet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nisur reformën e teksteve shkollore të quajtur Altertekst, ku shtëpi botuese të ndryshme konkurrojnë me tekste të ndryshme dhe me grupe autorësh të ndryshëm. Autorët paraqesin tekstet në shtëpinë botuese, e cila e dorëzon më pas tekstin në BOMIT (Bordi i Miratimit të Teksteve). Më pas komisioni i vlerësimit të teksteve (sipas lëndëve) vlerëson tekstet dhe miraton ata që plotësojnë kriteret e vendosura nga ministria.



I gjithë ky proces drejtohet nga kryetari i BOMIT, z. Agim Duka, i dypunësuar: njëkohësisht drejtor i shkollës për fëmijët me nevoja speciale dhe kryetar i Bordit të Miratimit të Teksteve, a thua se u mbaruan njerëzit "e aftë" në Shqipëri!!! Procesi i vlerësimit kryhet nga vlerësuesit në "sekret" të madh, emrat e tyre nuk bëhen publik, rast ky unikal për një reformë. Reformat janë objekt i një debati të madh mbarëpopullor, ku marrin pjesë mësues, prindër dhe nxënës.



Përse gjithë kjo frikë, për sa kohë ka kritere për hartimin dhe vlerësimin e teksteve?! Nëse vlerësuesit e teksteve kanë argumente bindëse, të shëndosha dhe dashamirëse për një tekst të caktuar, nuk ka arsye për të pasur frikë. Më tej, shtëpia botuese boton tekstin në një tirazh të caktuar dhe autori nuk ka asnjë mënyrë se si ta verifikojë këtë, përveç se të mbetet skllav i shifrave që deklaron shtëpia botuese. Në këtë çështje as Ministria e Arsimit nuk e ndihmon dot, sepse ajo njeh partnere shtëpitë botuese dhe jo autorin?! E të mendosh një çast që është autori, ai që në fund të fundit mban në këmbë reformën e teksteve dhe mbetet pa kurrfarë mbështetje. Madje, me të shtëpia botuese (së paku disa me të cilat unë kam bashkëpunuar) mund të luajë me produktin e tij si t‘ia dojë qejfi.



Me këtë rast po të sjell njërin nga shembujt për të ilustruar problemin që ngrita më lart: transparencën ndaj autorit, tirazhin.



Që në vitin 2005, unë dhe një kolege e imja, Suzana Balli, kemi bashkëpunuar me shtëpinë botuese PEGI për botimin e tekstit të gjuhës angleze OFF WE GO për klasat 6, 7 dhe 8. Teksti i klasës 6 u botua për herë të parë në vitin 2005 dhe pagesa për autorin ishte fikse e njëkohësisht edhe qesharake. Gjithsesi, në vitin 2006 tekstet shkollore u liberalizuan dhe shumë autorë shpresuan se shpërblimi i tyre do të ndryshonte për mirë. Por çfarë ndodhi?! Për ribotimin e tekstit Off We Go 6 në vitin 2006, shtëpia botuese PEGI deklaroi se është shtypur në 5000 kopje, pasi "kaq kërkesa kishin ardhur nga shkollat, sepse teksti ishte grumbulluar nga shkollat". A ka shqiptar që ta besojë këtë?



I kujtoj lexuesit se ky tekst, në vitin shkollor 2006, ka qenë i vetëm dhe se numri i nxënësve ka qenë rreth 40000. A mund të besohet se qenkan mbledhur rreth 30000 apo 35000 libra? Ky ishte fakti i parë që na bëri të vëmë në dyshim ndershmërinë e shtëpisë botuese PEGI.



Gjithashtu, i kujtoj lexuesit se tekstet rimbursohen nga shteti, që mesa flitet në media, janë rimbursuar në masën 40%. E nëse shteti nuk do t‘ia dijë për shpërblimin e autorëve që i realizojnë reformën, po me detyrimet tatimore të shtëpisë botuese çfarë ndodh? Në xhepat e kujt shkojnë këto para, që mendohet të mbushin arkën e shtetit të varfër shqiptar?



Për të gjetur këtë të vërtetë, u detyrova të përdor gjuhën e shifrave. Arrita të marr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës listën e nxënësve që mësojnë anglisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë (sipas rretheve), nga klasa 3 deri në klasën 12. Pastaj iu referova listave të shpërndarjes së teksteve të dhëna nga vetë shtëpia botuese PEGI për klasat 6, 7, 8 dhe në tabelat që kam përgatitur për këtë qëllim diferencat janë si më poshtë:





Për vitin 2007



Off We Go 6 (ribotim)



Numri i nxënësve: 38238



Tirazhi i shitur, i deklaruar: 19437



Diferenca: 18675



Shënim: Teksti ka qenë pa tekst alternativ. Në vitin 2006, i njëjti tekst është shitur në tirazh 5000 kopje...





Off We Go 7 (ribotim)



Numri i nxënësve: 38523



Tirazhi i shitur, i deklaruar: 17532



Diferenca: 20991



Shënim: Teksti ka qenë pa tekst alternativ





Off We Go 8 (tekst i ri)



Numri i nxënësve: 36967



Tirazhi i shitur, i deklaruar: 26581



Diferenca: 10386



Shënim: Teksti ka pasur si tekst alternativ tekstin e gjuhës angleze të botuar nga shtëpia botuese "Mediaprint", e cila ka deklaruar verbalisht se e ka botuar tekstin në tirazh 7000 kopje. Nuk di se ç‘ndodh me 3000 nxënës të tjerë?! Ndoshta "kanë blerë tekstet e mbetura në magazina", pasi kështu pretendon ndonjë shtëpi botuese tjetër kur dëshiron të fshehë tirazhin.





Për këtë mashtrim, më datë 10.01.2008, iu drejtuam me një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, znj. Gerta Picarit. Heshtje e plotë!



Ndërkohë, nga pronari i shtëpisë botuese, datë 24.01.2008, marr një telefonatë me anën e së cilës më kërcënon se "do ta kalojë çështjen në gjykatë, ndaj duhet të përgatitem". Sot e kësaj dite nuk më ka ardhur ndonjë ftesë nga gjykata. Por e siguroj atë se do të jemi ne, autorët që do ta bëjmë një gjë të tillë, në emër të ndershmërisë.



Më pas shpresuam tek z. Arben Sefgjini, duke iu drejtuar me po të njëjtën letër, më datë 4.02.2008. Përsëri heshtje e plotë! Letra ndodhet në sekretarinë e asaj drejtorie me numër protokolli 318, datë 11.01.2008. Madje, punonjëset e sekretarisë ku priten letrat, bënin edhe "humor", duke na thënë se duhej ta merrnim përgjigjen nga Drejtoria Tatimore e Tiranës! Ç‘tallje!



Iu drejtuam Zyrës Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit, e cila me gjithë interesimin, dukej që nuk kishte statusin që i takonte për të mbrojtur vërtet të drejtat e autorit, që është edhe një nga pikat e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian.



Gazeta "Shqip", për këtë problem bëri edhe një shkrim më datë 20 janar 2008. Në këtë shkrim thuhet: "Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i autorëve të teksteve për mungesë serioziteti nga ana e botuesve, MASH-i ka vendosur të ndërtojë gjithë data-base-in e tirazhit të librit në vend. Zyra e shtypit tha për "Shqip" se Alterteksti është një reformë e re, që synon liberalizimin e tregut të librit shkollor përmes konkurrencës dhe rritjes së cilësisë së librave. MASH-i pranon se reforma ka problemet e saj, por është duke u mbushur hap pas hapi me rregulla dhe sanksione të reja, për të mos lënë asnjë hapësirë abuzimi. Për sa u përket të dhënave të tirazhit, MASH-i nuk i ka në formë të rregullt dhe të plotë, ndaj momentalisht nuk u vjen dot në ndihmë palëve të interesuara, por premton se së shpejti do të ndërtojë një softwear të ri".



Vërtet reformat kanë vështirësitë e veta, por këto janë çështje teknike, që zgjidhen lehtë. Në një rast të tillë, kur ekziston një tekst i vetëm, apo dy, është fare e lehtë ta sqarosh dhe zgjidhësh problemin, nëse ekziston vullneti i mirë. Por BOMIT nuk do ta prishë me shtëpinë botuese, sepse është "partnerja" e saj. Në kushtet kur shtëpia botuese deklaronte një tirazh që nuk përputhej me numrin e nxënësve që përdornin këtë tekst në shkollë (shifrat që krahasohen janë marrë nga MASH dhe nga vetë shtëpia botuese), ndërkohë që tekstet për klasat 6, 7 kanë qenë tekste të vetme në përdorim, pa tekste alternative, u detyruam që tekstet t‘i tërheqim dhe t‘i botojmë në një shtëpi botuese tjetër. Për këtë veprim, më datë 15.01.2008, vumë në dijeni edhe BOMIT dhe nuk morëm asnjë përgjigje. Lidhur me këtë, shtroj pyetjen: Përse heshti BOMIT/MASH para fakteve të tilla? Në xhepat e kujt shkojnë paratë që fitohen nga mosdeklarimi i tirazhit të teksteve? Përse merret në mbrojtje shtëpia botuese PEGI, kur faktet flasin hapur për abuzim nga ana e saj? Kur rasti në fjalë nuk është i izoluar, por ka edhe autorë të tjerë që kanë të njëjtin shqetësim, atëherë përse ky hezitim nga ana e BOMIT? Nuk besoj se është kaq i vështirë! Shteti ka dhe gurin edhe arrën, e nëse ka vullnetin për të bërë një gjë të tillë, e mbledh informacionin që kërkon.



E, për të vazhduar me kalvarin e kësaj historie, tekstet u faqosën nga e para (pasi faqosja është pronë e shtëpisë botuese dhe nuk mund të përdorej faqosja e PEGI-it, ndonëse edhe për faqosjen autorët kanë një pjesë të konsiderueshme të punës) dhe u dërguan për miratim sërish në Bordin e Miratimit të Teksteve për shkak të faqosjes së re. Por, në shpalljen e rezultateve të vlerësimit, kryer nga Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) këto tekste lihen pa përmendur fare. Sqaroj që këto tekste janë miratuar nga MASH, përkatësisht në vitet 2005, 2006, 2007 dhe janë mirëpritur nga mësuesit e nxënësit.



Bashkë me presidentin e shtëpisë botuese shkuam të takojmë dhe të kërkojmë mendimin e kryetarit të Bordit, z. Agim Duka, i cili nuk pranoi që unë, si autore, të merrja pjesë në bisedë, me pretekstin se "partnerë njihte vetëm botuesit, jo autorët, se kishte 400 autorë, e po të merrej me secilin do të çmendej" (po citoj fjalët e tij). Z. Duka e udhëzoi botuesin e "Arbëria 07" që "autorët të bisedonin me Drejtorinë Juridike në ministri". Zyra ndodhej në katin e dytë brenda godinës së Ministrisë së Arsimit. Kontaktuam me drejtorin juridik në ministri, z. Rubin Cashli dhe ai, me shumë mirësjellje, u shpreh se nuk kishte lidhje fare me këtë problem, por na këshilloi t‘i kërkojmë me shkrim kryetarit të Bordit, z. Agim Duka, statusin e këtyre teksteve, përse nuk janë miratuar. Por z. Duka e refuzoi, duke i thënë botuesit: Nuk mund të jap përgjigje me shkrim. Më pas, botuesi i "Arbëria 07", më datë 8 maj, i drejtoi një letër ministrit Pollo. Le të shpresojmë tek ai.



I gjithë ky problem, që në fakt nuk është problem, në rastin më të mirë ka në bazën e vet hakmarrjen ndaj nesh si autorë që guxuam të ngremë zërin për shkeljen e të drejtave të autorit (dukuri kjo që nuk ndodh vetëm me ne si autorë, por dhe me të tjerë). Mjafton të kontaktosh autorë të tjerë dhe do të fillojnë të turfullojnë, duke e konsideruar situatën tërësisht të pashpresë. Nëse të mbërthen një shtëpi botuese nuk mund të ikësh nga kthetrat e saj, edhe kur ajo të mashtron.



Rasti në fjalë është shumë djallëzor dhe kërkon zgjidhje urgjente, sepse gjatë periudhës 8 maj deri 5 qershor, shtëpitë botuese duhet të prodhojnë 2000 kopje të secilit tekst e t‘i certifikojnë në BOMIT e më pas t‘i dërgojnë ato në shkolla për t‘u përzgjedhur nga mësuesit. Por nëse ky problem nuk zgjidhet nga ministria/BOMIT, shtëpia botuese nuk mund t‘i prodhojë ato (të rrezikojë me prodhimin e 12000 kopje për tri tekste dhe tri fletore pune që i shoqërojnë ato), nëse BOMIT nuk i certifikon ato, pa asnjë arsye. Ky problem do të zgjidhet, por atëherë do të jetë shumë vonë se shkolla nuk pret, duke u hapur kështu krahun shtëpive botuese të tjera që BOMIT i ka për zemër.



* Autorja ka mbaruar Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës Angleze. Ka punuar si redaktore dhe autore e teksteve të gjuhës angleze për shumë vite, ka kryer studimet pasuniversitare (doktoraturë) në Universitetin e Hapur (Angli) me temë "Përgatitja e arsimit në Shqipëri: në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen", një temë ku Shqipëria paraprin, pasi nuk është trajtuar në nivel doktorature në vende të tjera