16-06-2011 / Nga Dirk Schümer (Frankfurter Algemajne Cajtung)

Që nga rënia e Perandorisë Romake, Bashkimi Evropian ishte më e mira çka mund t’i ndodhte kontinentit. Por, para se të ndodhte kështu, qe e nevojshme të përshkohej një rrëmet i gjithkahshëm që vendet perëndimore të linin mënjanë sherret me njeri-tjetrin. Qysh prej vitit 1945, asnjë mendje e arsyeshme nuk e shihte më tej zgjidhjen te nacionalizmi. Ideja evropiane ishte e thjeshtë: nëpërmjet lidhjes shkallë-shkallë të popujve evropianë, do të fashitej çdo lloj orvatje dhe çdo lloj mundësie logjistike e dhunës ndërmjet shteteve. Kush vallë e shkreh armën në kokë të vet? Tashmë ëndrra është bërë realitet. Në pikëpamjen administrative e juridike, kontinenti evropian mbetet hapësira më e fuqishme ekonomike në rruzull. Pa konflikte të brendshme, pa varfëri masive, pa diktatura. Por, Evropës tani po i vjen fundi. Monedha e përbashkët po shkërmoqet për shkak të huave të dhëna vendeve që financiarisht e kanë litarin në fyt, por edhe nga manipulimet e bankierëve e politikanëve. Emigracioni e ka kthyer BE-në në një “ruletë ruse” për të dëshpëruarit e panumërt që përballen me dallgët e Mesdheut, hipur mbi barka që përmbyten pa mbërritur në bregun e ëndërruar. Nga qetësimi i situatës në Lindjen e Afërt, çdo vend po shpie përpara betejën koloniale. Ose hedh kujdesshëm sytë nga bregu përballë. Në ditët e sotme, fermerët italianë po marrin një mësim të rëndë se çdo të thotë treg i përbashkët, ngaqë një bakter i përhapur në Hamburg, ua heq mundësinë të tregtojnë mallrat e tyre në Rusi. Franca vendos centralet bërthamore përgjatë kufirit gjerman, ndërkohe që Gjermania vetë po përgatitet ta përftojë energjinë elektrike nga “lopatëzat e erës”. Danezët marrin në kontroll kufijtë e zonës Shengen, ngase sipas tyre, të gjitha të këqijat u vijnë nga jashtë. Dhe më tej, kush mund t’ua shpjegojë punëtorëve sllovakë se pensioni i tyre ka avulluar, për shkak se grekët duan të shullëhen në diell që në moshën 53-vjeçare? Vërtet mbetemi të habitur se politika që ngre zërin lart kundër BE-së vlerësohet me 20% të mbështetjes elektorale? Mbetet mister fakti që ato parti që duan t’i japin fund marrëdhënieve me BE-në janë ende parti jo të mëdha. Për Evropën, bihet në një mendje vetëm kur flitet për të shkuarën e saj. Me atë vandak rregullash e rregulloresh që mbeten zakonisht të pluhurosura, e në të cilën ndërthuren në mënyrë të paimagjinueshme vendet anëtare, BE-ja duket se ka kthyer majat nga thembrat e po lëviz drejt portës së pasme. Në zanafillë, bëhej fjalë vetëm për çelikun dhe gërmadhat e pas-Luftës. Më tej, marrëveshje për prodhimin e qymyrgurit. Më pas, për energjinë, bujqësinë, drejtësinë, kufijtë, e më në fund, edhe për euron. Tani BE-ja vetë vendos e vetë vulos. Askush nuk pyet se cili është mendimi i qytetarëve evropianë. Jo rastësisht Hans Magnus Enzensberger e cilëson vetë Evropën si armike të saj, duke e etiketuar “bisha e butë e Brukselit”. Sigurisht që ai nuk dëshiron të mohojë arritjet e qytetërimit të BE-së. Ai i mëshon përqendrimit burokratik të BE-së në Bruksel, në zemrën e dëlirit të kontrollit, çka rrezikon ta kthejë kontinentin në një “institucion korrektimi”. Enzensberger nuk i druhet thyerjes së një tabuje kur sulmon ballazi BE-në, duke e shquar si shfrytëzuese të brezave paqedashës. A nuk bën të njëjtën lojë edhe Vildersi, Kazinski, Le Peni e të tjerë me radhë? Sigurisht që jo. “Populizmi i ekstremit të djathtë”, apo “kanceri”, siç e vlerëson në vijimësi media evropiane, në thelb është veçse një ideologji e turbullt dhe ksenofobe, që udhëhiqet vetëm prej një parimi: nacionalizmit. Instinktivisht, një mori zgjedhësish evropianë kthejnë sytë te rendi i vjetër, pasi ky i riu nuk ua mbush mendjen. Këtu qëndron problemi. Evropa është, siç shprehet Enzensberger, një “dukuri post-demokraci”. Në pjesën më të madhe të vendeve anëtare, projekti evropian është aq i mangët në alternativa, saqë askush nuk ka votuar për bashkësinë ekonomike, për zonën Shengen apo për monedhën e përbashkët. Mirëqenia për shkak të hapjes së tregjeve dhe prej ndihmës strukturore erdhi mjaft shpejt, saqë edhe vende krenare si Polonia e Hungaria e deleguan sovranitetin e tyre në Bruksel pa u menduar dy herë. Edhe nëse klasa politike do të shfaqej vullnetmbarë, përsëri projekti evropian do të dështonte, ngaqë Evropës i mungon një përbërës thelbësor: opinioni i përbashkët publik. BE-ja është dëshmia e gjallë e mosfunksionimit të demokracisë për shkak të mungesës së debatit publik. Parlamenti Evropian, që rrallëherë ka diçka për të thënë, votohet prej vendeve të veçanta nga zgjedhje nacionale. Krejtësisht të tilla kanë mbetur edhe risitë, personalitetet politike, kultura e grindjeve dhe grevave, apo zakonet. Për këtë arsye, si mazhorancat e djathta ashtu edhe ato të majta votojnë përgjithësisht “kundër” kur bëhet fjalë për çështje që i përkasin Evropës. Sakaq, shumicat e elitave poliglote dhe ndërkombëtarë nuk vendosin më. Për këto arsye, Evropa duhet të përvijohet aq sa mund ta vlerësojnë të gjithë ata zgjedhës evropianë përmes fletëvotimit. E jo thjesht një fabrikë lobingjesh e kompromisesh të Brukselit, ku makineria e saj prodhon thuajse 80% të ligjeve tona. Evropa duhet të gjeje mënyrën se si t’i japë fund zhurmës nga poshtë që bën mekanizmi tepër i ndërlikuar. Të gjitha procedurat vendimmarrëse duhet të jenë demokratike, e më pas, kombëtare, rajonale apo lokale. Duhen ndalur të gjitha zgjerimet e mëtejshme. Gjithsesi, euro do të shkojë kokëposhtë. Ka veç një vend që e ka përfunduar tashmë etapën nacionale, e që i është besuar plotësisht BE-së. Jo rastësisht bëhet fjalë për vendin më evropian krahasuar me vendet e tjera të Evropës: Belgjikën. Në këtë vend, demokracia ka avulluar pa lënë gjurmë. Votohet e votohet pa fund, por qeveri nuk duket në horizont. Sovraniteti popullor, politika në kuptimin e mirëfilltë, ka shteruar. Nëse nuk dëshirojmë që ky të jetë fati i të gjitha vendeve të tjera evropiane, ?ka vetëm një rrugë? : rikthim te kombi dhe demokracia.


 

...