Për pikturën në Shqipëri tani mund të pohohet se boshllëku i literaturës së përkthyer duket se po merr fund. Dy vjet pas botimit të vëllimit të parë, këto ditë ka dalë në qarkullim vëllimi i dytë i historisë më të kompletuar të artit botëror të botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe.


Ky botim, i konsideruar nga më luksozët, i shtypur në Itali, vjen i përgatitur në shqip nga historiani i artit, Gëzim Qendro, vlerësuar për cilësi të lartë dhe profesionale të përkthimit. Vëllimi i dytë mbulon periudhën nga Gotiku Ndërkombëtar tek Rokokoja





Kohët e artit





Për pikturën në Shqipëri tani mund të pohohet se boshllëku i literaturës së përkthyer duket se po merr fund. Dy vjet pas botimit të vëllimit të parë, këto ditë ka dalë në qarkullim vëllimi i dytë i historisë më të kompletuar të artit botëror të botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe.


Ky botim, i konsideruar nga më luksozët i shtypur në Itali, vjen i përgatitur në shqip nga historiani i artit, Gëzim Qendro, vlerësuar për cilësi të lartë dhe profesionale të përkthimit. “Vëllimi i dytë mbulon periudhën nga Gotiku Ndërkombëtar tek Rokokoja. I konceptuar fillimisht si një vepër që u drejtohet nxënësve dhe studentëve të artit dhe të arkitekturës, në fakt libri “Kohët e artit” i drejtohet dhe një publiku mjaft më të gjerë, të interesuar për të pasur dhe për të lexuar një histori serioze të artit botëror”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Institutit të Dialogut dhe Komunikimit që ka përgatitur për treg këtë botim. Në pjesën e parë te “Katërqinda ndërkombëtare”, duke hyrë në kontekstin historik të saj sjell Evropën e oborreve, me shembuj Francën dhe Boheminë.


Italia në këtë shekull bëhet epiqendra e stileve ndërkombëtare të aplikuar në vende tashmë të famshme si Lombardia, Venediku, me risitë krijuese nga Verona dhe Pisanello, Vargu i Alpeve, Firencja, deri tek zonat periferike. Në kapitullin e dytë, «Katërqinda në Firence» hyjmë në teorinë historike për të kuptuar shpërthimin e rilindësve, dhe perceptimet që nga lashtësia, për njeriun dhe botën, deri tek ndikimet e humanistëve, shoqërisë dhe me radhë artistët.


Brunelleschi dhe Donatelli përbëjnë kthesën risuese duke u shtjelluar në dy zgjidhje për temën e kryqëzimit. Në një aspekt më të veçantë dy autorët e këtij vëllimi merren me kantierët e skulpturës dhe Donatellon.


Arkitektura fiorentine nuk mund të kuptohet pa Filippo Brunelleschi. Në këtë kapitull ndër të tjera hyn pranimi i risive, ku tek Gentile da Fabriano shohim ndikimet humaniste në gjuhën e gotikut të vonë. Menjëherë pas Masaçios janë fillimet e Angelicos dhe Filippo Lippit, ku shfaqen bazat e teorisë së pikturës nga Leon Battista Alberti, me traktatet e famshme estetike mbi pikturën, skulpturën dhe arkitekturën.


Faqe më vetë, duke u konsideruar tepër të rëndësishme, është “Katërqinda flamande”, me kulturën oborrtare dhe atë borgjeze me përfaqësuese Jan Van Eyck, Rogier Van der Weyden. Është një epokë ku përballen dy kulturat, italianët dhe flamandët.


Në pjesën e dytë të këtij vëllimi, “Mënyra moderne” rishihen në kuadrin historik-kulturor në qytete si Firencja, Umbria, Venediku, Milano me specifikat e autorëve.


Ndërsa pjesa e tretë tërheq “Ndërmjet rilindjes dhe Barokut”, duke u përfshirë në “krizën” e manierizmit, si një përcaktim problematik.


Përditësimi i oborreve: “rastet” e Gerolamo Gengas dhe Giulio Romanos si dhe ripërtëritja e pikturës midis fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII, janë tekste historike në këtë pjesë duke na çuar më pas në gjendjen e Evropës, si pasqyrë e krizës ekonomike përballë dimensionit intelektual.


Nga Baroku në Rokoko është përmbyllja e këtij vëllimi, duke kundruar barokun dhe kulturën evropiane në shekullin XVII, e konsideruar si një epokë konfliktesh, ku zanafilla e barokut shoqërohet me kremtimet katolike.


Në këtë pjesë flitet për stinën e madhe të Barokut, në roman, pikturë, skulpturë dhe arkitekturë. Në vazhdim të shekullit XVII hidhen debate teorike ndërmjet klasicizmit dhe natyralizmit. Në këtë specifikë vështrohen vendet ku u zhvillua natyralizmi si në Napoli, Italinë Jugore dhe Spanjën, e shoqëruar me përhapjen e gjerë ndërkombëtare të gjuhës barok. Ndërmjet Rokokosë dhe Iluminizmit fillojnë të shfaqen e të aplikohen në Francë dhe në gjithë Evropën prirjet e reja estetike.