-Këshilli i Ministrave miratoi Projektligjin "Për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar në Republikën e Shqipërisë-

Ministri Koka deklarateTIRANË, 25 Nëntor /ATSH- I. Vata/ -Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, e ka konsideruar vendimin e Kshillit të Ministrave si historik, pasi i hapet rruga një nisme ligjore shumë të rëndësishme dhe njërës prej reformave më jetike në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, pas vendimit të KM, ka dalë në një deklaratë për media, ku u shpreh se "Projektligji i hartuar nga Ministria e Mjedisit është rezultat i një konsultimi të gjatë me specialistë të fushës, me njësitë e qeverisjes vendore, me përfaqësues të botës akademike, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe aktorë të ndryshëm në fushën e mjedisit, pasi për herë të parë, me këtë projektligj do të zgjidhet ngërci i krijuar nga kalimi i pjesshëm dhe problematik i fondit pyjor dhe kullosor pranë bashkive. Sot vendosëm menaxhimin 100 % të fondit pyjor nga bashkitë. Projektligji i miratuar sot, riorganizon qeverisjen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës. Funksionet menaxhuese të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i ngarkohet bashkive, ndërsa funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve".

"Ky është një progres i dukshëm në kuadër të decentralizimit të kompetencave nga Ministria tek bashkitë, në përputhje të plotë me strategjinë ndërsektoriale të decentralizimit. Ndërhyrje duhet të ishte rrënjësore dhe me veprim të menjëhershëm, ndaj për këtë arsye ne si Ministri propozuam një drejtim të ri në lidhje me menaxhimin e fondit pyjor dhe kullosor publik". Ministri Koka vlerësoi faktin se për herë të parë me këtë projektligj do të ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore në masën 100% . Kjo masë vjen pas një sërë masash të ndërmarra të cilat dhanë efektin e tyre, si ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit dhe lëndës së papërpunuar. Rezultati i këtyre masave të suksesshme nuk ishte i mjaftueshëm për situatën ku ndodhemi dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Për herë të parë ky projektligj përcakton vendosjen e një moratoriumi 10 -vjeçar të pyjeve, tha Koka.

Ministri Koka thekson se "Shpallja e këtij moratoriumi është një vendim historik që kërkon angazhimin dhe vullnetin e të gjithë palëve dhe mbështetjen e plotë nga shoqëria shqiptare. Edhe pse në dukje një masë drastike jemi të kushtëzuar në këtë vendim të marrë nga qeveria shqiptare, duke pasur një situatë të trashëguar jo të favorshme në më shumë se 40 vite. Qysh nga viti 1974 nevoja për lëndë drusore dhe dru zjarri ka qenë shumë më e lartë sesa mundësia e gjenerimit të fondit pyjor në mbarë vendin. Abuzimet e pas viteve '90 kanë cuar në degradimin e fondit pyjor, si një nga sektorët jetikë të mjedisit dhe aset i çmuar për ekonominë shqiptare. Ndërhyrjet pa kriter, dëmet e vazhdueshme dhe prerjet abuzive, kanë sjellë një situatë në kufijtë e emergjencës, sa i takon kësaj pasurie natyrore me vlera jetike për të ardhmen e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë".

Gjithashtu, Koka pohoi se "Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me bashkitë do të garantojnë furnizimin e pandërperë me dru zjarri për nevojat për ngrohje të popullatës. Kjo reformë madhore është një vendim historik në sektorin e pyjeve e cila do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve në funksion të rritjes së cilësisë së jetës dhe mirëqënies së qytetarëve shqiptarë, në interes të shoqërisë së sotme dhe të nesërme". /a.ke/