Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ka trazuar ujërat në politikën ndërkombëtare dhe raporti i CIA-s ku fajësohet princi i kurorës në Arabinë Saudit, Mohammed bin Salman për torturat dhe ekzekutimin i ka hedhur benzinë zjarrit.


Ndërkohë, duket se SHBA e ka marrë seriozisht çështjen dhe do të evitojë skandalin pasi Arabinë Saudite e ka aleaten e vetë më të fortë në Lindjen e Mesme, ndaj sipas raporteve të mediave amerikane i ka kërkuar Turqisë të ndalë ekspozimin e provave për vrasjen.


Turqia është e zemëruar me Arabinë Saudite që ka kryer vrasjen në Stamboll dhe për javë të tëra ka sfiduar versionin e ngjarjeve të Rijadit dhe ka zbuluar detajet kryesore të hetimit turk. Detajet e hetimeve në Turqi kanë implikuar udhëheqjen e lartë të Arabisë Saudite, ndërsa është ushtruar presion mbi SHBA-të, që të ndëshkojnë Mbretërinë Saudite, me të cilën kanë kontrata shumë fitimprurëse.


Në raportin e NBC News shkruhet se në këmbim të heshtjes, Shtëpia e Bardhë ka marrë në konsideratë edhe ekstradimin e mundshëm të Fethullah Gylen, një klerik me ndikim, të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grushti shteti në vitin 2016.


Gylen do ti ofrohej Turqisë në këmbim të ndaljes së hetimit të Ankarasë mbi vdekjen e Jamal Khashoggi.


Por për Reuters ka folur një zyrtar i lartë turk, i cili ka hedhur poshtë idenë duke thënë se një veprim i tillë nuk do të funksiononte.


Nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në hetimin Khashoggi në këmbim të ndonjë favori politik ose ligjor, tha ai në anonimitet.


Ndërkohë, për raportet në media ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë duke mohuar idenë për ekstradimin e Gulen.


18 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)