Një tjetër rrjet i trafikut ndërkombëtar të drogës u godit sot në bolonja të Italisë. Nga 12 të arrestuarit, dy ishin shqiptarë, por që kishin rol të rëndësishëm në organizatën që sillte kokainë nga Peruja.


Arrestimet u kryen pas kontrolleve të kryera në Bolonja dhe Reggio Emilia. Operacioni Nuevo Sol kishte nisur që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016 pas denoncimit të një 35-vjeçari ndaj një prej të dyshuarve kryesor të grupit, Claudio Ranko Pawan.


Pawan ishte ai që sillte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut dhe Peruja në drejtim të Spanjës përmes një rrjeti shqiptarësh, çdo 5/20 ditë, dhe më pas droga transportohej për në tregun italian.


Krahu i tij i djathtë ishte nëna 67-vjeçare dhe e dashura 27-vjeçare, të cilat janë arrestuar gjithashtu. Ato shpërndanin drogë me pakicë si dhe ruanin sasitë e mëdha të kokainës.



Sipas La Republica, peruani blinte 5 deri në 10 kg drogë çdo dy javë, duke e rishitur atë në 40,000 euro për kilogram. Kokaina sillej në formë të lëngshme në shishe, në formë paste ose pluhur, duke shfrytëzuar tubetet me pomadë.


Këtu, roli i trafikantëve shqiptarë, 45-vjeçarit Eduard Shuli dhe 35-vjeçarit E.G. ishte thelbësor. Gjashtë prej të arrestuarve janë lënë prapa hekurave, 3 nën arrest shtëpiak dhe tre të tjerë me detyrim paraqitje.